Të gjitha veturave të reja shumë shpejt do t’u kërkohet që detyrimisht të kenë pajisjen që ndalon fizikisht shoferët për të vozitur shpejtë.
Këshilli Evropian i Sigurisë në Transport (ETSC) ka bërë thirrje që prodhuesit e veturave të zbatojnë këtë teknologji për të zvogëluar numrin e aksidenteve në trafik, transmeton koha.net. Deputetët e Parlamentit Evropian së fundi kanë votuar për këtë propozim, i cili i detyron të gjithë prodhuesit që veturat e reja të jenë të pajisura me një teknologji që limiton shpejtësinë fizikisht, e quajtur “Asistimi Inteligjent i Shpejtësisë” (Intelligent Speed Assist – ISA) deri në 2022-ën.
E kjo mund të ndihmojë në zvogëlimin e aksidenteve rrugore deri në 30 për qind, duke shpëtuar rreth 25 mijë jetë në 15 vite, sipas ETSC, raporton “thesun”.
Sipas përfaqësuesve të ETSC-së, kjo teknologji punon duke përdorur “një kamerë që njeh shenjat e shpejtësisë si dhe një GPS që lidhet me të dhënat e shpejtësisë për të njoftuar shoferët me limitin e lejuar e automatikisht të limitojë shpejtësinë e veturës, aq sa të jetë e nevojshme”.
“Sistemi ISA nuk shkel automatikisht frenat, por thjesht limiton fuqinë e motorit duke parandaluar veturën që të kalojë shpejtësinë mbi limitin e caktuar”, thonë në ETSC.