Saturday, November 23, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeOpinionOfiqari, iku në dreq të mallkuar!

Ofiqari, iku në dreq të mallkuar!

Shqipfolësit “nuk kanë kurrfarë motivi që të mos e paragjykojnë” Metju Nimicin, pavarësisht se nuk na pyet e nuk na konsulton njeri. Shqiptarët nuk kanë asnjë motiv për të qenë neutralë, sehirxhi dhe, në instancë të fundit, edhe hazërxhinj…, nuk kanë nevojë, sepse nëse do vazhdojmë të hiqemi si të tillë, atëherë në një të ardhme të afërt, maqedonasit “me gojën plot” do të na thonë: “Ju, shqiptarët, nuk keni të drejtë të bëni propagandë zhurmuese!”

Nga Fadil LUSHI

Unë e “kuptoj” tërësisht mllefin e “dovletit” maqedonas, unë plotësisht e “marr vesh” zemërimin e qytetarit të rëndomtë maqedonas, sidomos të opozitarit, “mund ta marr” me mend si ndihet historiani dhe akademiku maqedonas, unë e “kuptoj” nacionalistin e ndershëm maqedonas, po edhe atë të shpifurin. Ne mund ta “kuptojmë” edhe shqetësimin e presidentit të shtetit, i cili, me gjithë përpjekjet e tij këmbën-gulëse, nuk arriti dot ta mbrojë deri në fund identitetin e vendit të tij, edhe përtej ca garancive se emri i pranuar në asnjë mënyrë nuk do ta kërcënojë njëjtësinë kombëtare maqedonase! Unë përfundimisht “arrij ta diktoj” inatin e ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, zotit Dimitrov dhe toptan të tjerët, që nuk u përmendën në paragrafin e këtij shkrimi, sa i përket mënyrës se si u “zgjidh” çështja e emrit të shtetit. Nëse unë dhe të tjerët si unë (nuk) i “kuptuam” komshinjtë tanë me tamam, atëherë si bëhet që të mos e marrim vesh atë mendësinë e gabuar të ca “politikanëve” jomaqedonas, të cilët sa herë që u teket shkojnë në “kënagjegjin” e fqinjit, hiç pa u ftuar dhe, kur do t’u thonë se kush ju “grishi”, në vend të përgjigjes do ta mbyllin gojën dhe më pastaj pa të drejtë “do të hedhin vickla!” Unë me këtë moshë të thyer, nuk kam prapanicë “për të hedhur shkelma”, e lëre më ta “sikteris marrëveshjen e arritur” mes Greqisë dhe Maqedonisë. Nëse unë, po edhe shqiptarët e “kuptojmë, e marrim vesh dhe e diktojmë” zemërimin a shqetësimin e bashkëqytetarëve tanë, kjo nuk do të thotë se duhet bërë “aminin” nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, a mos nuk duhet bërë “poterexhiun!” Tekefundit edhe ne kemi dertet tona, edhe ne kemi çështjet tona të pazgjidhura që kur nuk do t’ua gjejmë “çarenë”, atëherë “do të bredhim hu me hu”, njësoj si ai dembeli, që shkon nga një vend në një tjetër, në kërkim të “bythës së viçit”…, edhe ne kemi “zilet në bark”, zile këto që s’na lënë të dëgjojmë këmborët e të tjerëve…, edhe ne kemi emrin dhe mbiemrin, edhe te ne bie kambana e…, që, fatkeqësisht, rrallë e më rrallë i dëgjohen tingujt. Thonë se kjo puna me emrin “paskësh qenë në duart” e kryediplomatit, ndërmjetësuesit a përfaqësuesit special të Kombeve të Bashkuara, Mathew Nimetz, i cili për kushedi të satën herë kishte deklaruar se kjo çështje do të zgjidhet së shpejti, por ama, edhe për më shumë se njëzet vjet, kjo nuk ndodhi, për njëmijë e një arsye. Ky i nderuari Nimetz nuk është si ofiqari ynë (“rahmet pastë!”). Nuk doli burrë katërqind dërhemë, burrë që i zë vend fjala. Ky i kishte kompetencat paksa më të avancuara. Në krahasim me ofiqarin e gjendjes civile të lagjes sonë, Nimeti kishte tjetër orar! Punonte në periudha a në stinë të caktuara të vitit, gati për dy dekada e çerek. Gojëkëqijtë thoshin se ky asokohe ishte rrogëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Se sa e kishte rrogën, vetëm një “shejtan” e dinte! Kemi dëgjuar, se kartëmonedhat me bojë “jeshile” i ka shumë qejf! Shih ti qerratanë! Sa herë që vizitonte Urën e Gurit të Shkupit si dhe muzeun Akropolis të Athinës, aq herë prej xhepit nxirrte “pultin a telekomandën”. E shfrytëzonte për t’u dërguar “selame hallexhinjve” nga Maqedonia, duke u thënë: “Hej ti milet biblik, bëj sabër!”, ndërkaq atij kryediplomatit dhe barkmadhit të pangopur grek, ia “bënte me isharet…, sikur i thoshte se në këtë aksham pazar politik do t’ua fusim ashiqare shqiptarëve…,” njësoj si ai tregtari turk nga lagjja e Karakoyit të Stambollit, që ua fut turistëve rusë! Dhe na e “futi!” Jazëk i qoftë këtij burri me shtat të vogël e të dobët!… dhe çuditërisht gjatë gjithë rrugëtimit të tij dhe gjatë gjithë allishverisheve greko-maqedonase, si nuk tha asnjë llaf për shqiptarët e Maqedonisë…, po sikur edhe t’i identifikonte me “pllaninarët dhe indija-ncit” e ish-ministres “për punë shtëpiake” gocës Jankullovska…, një fjalë për shqiptarët i mungoi edhe kryeministrit gjatë ekspozesë së tij emotive…, i cili disa herë tha: “… se kjo marrëveshje historike do ta konfirmojë dhe forcojë identitetin maqedonas, gjuhën dhe kulturën maqedonase e tjerë…

Këtë shqetësim të palës maqedonase rreth ndërrimit të emrit mund ta “kuptojnë” vetëm shqiptarët, sidomos ata të cilët rronin në vaktin e komunizmit, e që ballafaqoheshin me një problem përafërsisht të ngjashëm si kjo me emrin. Ne shqiptarët e Republikës së Maqedonisë, asokohe nuk kishim dertin se çfarë bishti a shtojce do të kishte Maqedonia dhe ish-Jugosllavia, ama hiç nuk na hante palla se a do të quhej “ybne dovlet apo hajvar huqumat”, kjo për ne kishte pak rëndësi, sepse ne atëherë kishim merakun se si t’i emërtojmë fëmijët tanë të porsalindur. Fatkeqësisht, lëre që shteti dhe politika nuk ua “fërkonte shpatullat dhe salltanatet burrave shqiptarë”, por edhe na bënte për budallenj sa u përket emrave që ne i donim për fëmijët tanë. Dikur moti kur kasabatë ishin të vogla, me nam të keq ishin milicët, hafijet e pushtuesit dhe së fundi edhe ofiqari i gjendjes civile. Ky i fundit kishte kollaren për qafe që unë, me sa mbaj mend, asnjëherë nuk e lau e lëre më ta shpëlante. I njihte të gjithë mëhallët, e njihte qytezën e katundin, i njihte fëmijët, prindërit, familjet dhe familjarët e tyre. Në një periudhë të caktuar të shoqërisë komuniste, ofiqari ishte në qendër të vëmendjes. Ai qe detyruar dhe udhëzuar të kundërshtonte emrat e heronjve, artistëve dhe dijetarëve me prejardhje shqiptare, emra këto që ishin të përshtatshëm për fëmijët shqiptarë…, njësoj si sot që Greqia kundërshton a vë në dyshim emrin aktual të shtetit ku ne rrojmë. Ky ofiqari i gjendjes civile i tipit komunist përjashtonte çdo kërkesë të prindit shqiptar. Ai ta “rraste” emrin për çunin dhe çupëlinën nga lista e tij…, “për përdorim të brendshëm, po edhe të jashtëm!”. Emrat shqiptarë ndërtoheshin me shkronjat cirilike. Meqenëse alfabetit cirilik i mungonin ca shkronja që për ne shqiptarët janë të rëndësishme, emri i shqiptarit dilte, sa qesharak po aq dhe “sakat!”

Shqipfolësit “nuk kanë kurrfarë motivi që të mos e paragjykojnë” Metju Nimicin, pavarësisht se nuk na pyet e nuk na konsulton njeri. Shqiptarët nuk kanë asnjë motiv për të qenë neutralë, sehirxhi dhe, në instancë të fundit, edhe hazërxhinj…, nuk kanë nevojë, sepse nëse do vazhdojmë të hiqemi si të tillë, atëherë në një të ardhme të afërt, maqedonasit “me gojën plot” do të na thonë: “Ju, shqiptarët, nuk keni të drejtë të bëni propagandë zhurmuese!” Kjo puna me meselenë e emrit të “dovletit”, ma rikujton barsoletën me Titon, i cili dikur qe shtrirë në spitalin ushtarak të Lubjanës. Një ditë, mjekët kishin marrë vendim që t’i bëhej analiza e gjakut dhe e urinës. Kishin angazhuar kryeinfermieren e spitalit që epruvetën me urinën e “plakut” ta dërgonte në laborator. Por ama, kjo, duke ecur pengohet, thyen epruvetën dhe e derdh urinën…, merr një tjetër epruvetë, e mbush me “shurrën” e saj dhe ia dorëzon laborantit për analizë. Analizat kishin nxjerrë përfundimin: pacienti është pak shtatzënë(!?). Kjo çështje duhej zgjidhur sa më shpejt dhe pa zhurmë. Stafi mjekësor i thotë, ashtu troç: “Shoku Tito, ju keni mbetur me barrë!”, kurse ai u kishte dhënë përgjigje me gjakftohtësi: “Këtu s’ka gjë për t’u çuditur, sepse ky haber nuk më bën përshtypje të madhe. Një herë ta fut Perëndimi, dy herë ta fut Lindja, kishte përfunduar përgjigjen e tij “plaku”. Lum miku! Kjo marrëveshje, a nuk të duket paksa shtatzënë…, nëse po, atëherë “rroftë mushamaja!”. (koha.mk)

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!