Maqedonia e Veriut nuk e përjashton mundësinë e aplikimit të dozës së tretë të vaksinës kundër koronavirusit pasi, siç tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe priten edhe mutacione të reja të virusit.
Filipçe tha se po shqyrtohet të gjitha mundësitë përfshirë edhe atë që vaksina të bëhet sezonale, ndërsa paralajmëroi edhe masa kufizuese për ata që nuk janë të vaksinuar.
“Priten mutacione të reja në koronavirus, kështu që një nga skenarët e mundshëm, është që qytetarët të marrin një dozë të tretë të vaksinës anti-COVID dhe gjithashtu mundësia që ajo të bëhet sezonale. Ne do të diskutojmë masat e mundshme kufizuese, duke synuar së pari ata që nuk janë vaksinuar, sepse nuk ka nevojë të vendosim rrezik shtesë njerëzit që janë vaksinuar, duke e ditur se kjo është mënyra e vetme që ne të funksionojmë dhe të kthejmë jetën tonë në gjendjen normale”, tha Filipçe.
Deri më tani në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar mbi 530 mijë persona apo rreth 25 për qind e popullatës, prej tyre më shumë 380 mijë apo rreth 18 për qind me dy doza të vaksinës.
Ministri Filipçe nuk e ka përjashtuar mundësinë që nga shtatori apo tetori të miratohet masa shtrënguese, para se gjithash për personat që refuzojnë vaksinimin. Masat përfshijnë ndalimin e lëvizjes së tyre në ambiente të mbyllura si dhe në manifestimet të ndryshme kulturore e sportive.
Nga procesi i vaksinimit varet edhe nisja e vitit shkollor. Ministria e Arsimit ka në plan tri opsione për fillimin e vitit shkollor: kthimin e nxënësve në shkolla, mësimin online si dhe mësimin e kombinuar – me prani fizike dhe mësim nga distanca.
Të shtunën Maqedonia e Veriut ka regjistruar 81 raste të reja me koronavirusin e ri duke e çuar numrin e rasteve aktive në 525 persona në gjithë vendin. Numri i viktimave ka arritur në 5.493.
Sipas ministrit Filipçe, edhe pse numri i pacientëve të diagnostikuar është shtuar ditët e fundit, situata epidemiologjike është mjaft e qetë dhe spitalet po funksionojnë pa presion.
“Nuk ka presion mbi spitalet, as në ambulanca, ku ka një indikacion nëse një pacient është për t’u pranuar apo jo. Rreth 15 pacientë po trajtohen në Klinikën Infektive. Ne po e ndjekim situatën nga afër, edhe pse tani është mjaft e qetë, është e mundur që tendenca e rritjes së infektimeve të vazhdojë”, tha ai.