Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi sot që gjatë dy javëve të ardhshme të zbatohet ora policore, gjegjësisht ndalimi i lëvizjes prej orës 22 deri në 05 të mëngjesit. Por kryeministri Zoran Zaev nuk përjashtoi mundësinë e karantinës apo mbylljes së plotë gjatë uikendeve, nëse ka rritje të rasteve të infektimeve me COVID-19.
I pyetur se a ka logjikë që ora policore të aplikohet nga ora 22, pasi që para këtij orari, lokalet janë të stërmbushura, Zaev theksoi se është një vendim logjik, për shkak se në vendet e BE-së ka pasur mbyllje të restoranteve dhe kafeterive, megjithatë ka pasur rritje të rasteve, përcjell INA.
“Nëse i mbyllni lokalet, qytetarët mblidhen para objekteve, nëpër parqe, në Vodno, në shesh, para banesave kolektive dhe gjithandej, prandaj duhet që pas orës 22 të mbyllim gjithcka. Mëtej nuk përjashtohen mundësitë për tërë uikende të mbyllura, ditë të tëra të mbyllura apo të ngjajshme, nëse nuk do të kemi ulje të shifrave të infektimeve. Nga ne varet se a do të respektojmë masat duke mbajtur maska dhe duke shmangur grupimet. Punët janë serioze, jam kryetar i Qeverisë, nuk guxojmë të lozim lojëra, sepse po humbasim jetë”, theksoi Zaev. Ai apeloi që qytetarët të mbështesin dhe respektojnë këto masa për dy javë për të mos pasur arsye për të shkuar në masa më të ashpra.(INA)