Deputetja Mira Stojçevska nga LSDM ka punësuar djalin në ndërmarrjen shtetërore elektroenergjetike ELEM. Kjo u bë e ditur sot në një konferencë me gazetarët nga VMRO-DPMNE, informon INA.
“Pse pushteti e fshehu këtë punësim? Opinioni duhet ta dijë nëse djali i Miras është punësuar me konkurs publik? Edhe sa kandidatë të paraqitur ka pasur për këtë vend pune? Çfarë ka qenë djali i Miras – dizel, kandidat më i mirë se tjerët?”, theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE, Dimçe Arsovski.
Sipas pretendimeve të partisë opozitare, djali i deputetes prej sot ka nisur të shkojë në punë. Por nga ana tjetër, lidhur me punësimet familjare sot ka folur ministri i administratës, Damjan Mançevski, i cili ka thënë se aktivistët dhe anëtarët e partisë së tyre për 10 vitet e kaluara kanë qenë më të diskriminuarit nga pushteti i kaluar, i cili çdo ditë kishte punësuar të afërm, por askush nuk kishte ngritur pluhur.
Lidhur me këtë punësim kanë reaguar edhe nga ELEM duke thënë se janë respektuar të gjitha kriteret dhe se kandidati ka plotësuar të gjitha kushtet. VMRO-DPMNE pretendon se gjatë periudhës së fundit në ELEM janë punësuar fëmijët dhe familjarët e funksionarëve aktual Talat Xhaferi, Mirosllav Grçev dhe së fundi u përmend edhe ministri i Kulturës, Asaf Ademi. (INA)