Nuk ka raste të reja të personave pozitivë të koronavirusit në vend. Negativë janë testet e tre personave të cilët me simptoma të gripit dje janë paraqitur në Klinikën infektive. Sipas kompetentëve dhe ekspertëve, hapësirë dhe arsye për panik nuk ka. Situata është nën kontroll, vazhdimisht ndiqet, ndërsa institucionet janë të gatshme për reagim të shpejtë dhe i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në pajtim me protokollet ndërkombëtare. Qytetarët duhet t’i respektojnë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, të sillen me përgjegjësi dhe të mos përhapen dezinformata.
Rasti i vetëm i personit të infektuar me koronavirus mbetet pacientja tani më e hospitalizuar në Klinikën infektive në Shkup, e cila me furgon ka udhëtuar nga Milano.
“Pacientja, tek e cila është konfirmuar koronavirusi ndihet mirë, ka pasqyrë të lehtë klinike dhe nuk ka komplikime më serioze”, ka thënë dje ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.
Ai informoi se 12 persona, nga të cilët dy fëmijë, të cilët ishin në kontakt me këtë paciente janë në izolim shtëpiak dhe nuk guxojnë ta dalin nga vendbanimi dhe askush t’i vizitojë. Ata janë mirë, nuk kanë kurrfarë simptoma. Filipçe potencoi se këtyre personave se ushqim dhe ujë dhe gjëra të tjera të nevojshme do t’u japin pjesëtarët e Kryqit të Kuq.
Mbetet në fuqi rekomandimi që kompanitë dhe institucionet e atyre të punësuarve të cilët këtë periudhë kanë qenë në Itali, të vijnë në punë sepse ata së pari duhet të kalojnë 14 ditë në izolim – periudhë aq sa zgjatë inkubacioni i virusit, si dhe rekomandimi të mos udhëtohet në vendet ku ka epidemi, pa ndonjë nevojë të madhe.
Qeveria paraprakisht formoi trup koordinues, ndërsa mbledhje mbajti edhe Komisioni për Sëmundje Ngjitëse në të cilin ishin konfirmuar masat mbrojtëse. Janë siguruar edhe objekte adekuate, si dhe hapësira për izolim plotësues, nëse për këtë eventualisht paraqitet nevoja. Pajisjet e nevojshme dhe pyetësorët të cilët duhet t’i plotësojnë udhëtarët të cilët hynë në shtet, janë shpërndarë deri te shërbimet e aeroportit dhe vendkalimet kufitare.
Në ndërkohë, për shkak të situatës së re të krijuar me numrin e rritur të të sëmurëve në Kroaci, si dhe rasti i parë i konfirmuar në Greqi, janë anuluar të gjitha ekskursionet të cilat i organizojnë institucionet shtetërore, shkollat fillore dhe të mesme.
NQP Shkup bëri të ditur se do të fillojë me dezinfektim shtesë të mjeteve të transportit publik si dhe kabinat e teleferikut në Vodno.
Çdo autobus pas përfundimit të turnit dhe rrugës së caktuar, do të dezinfektohet me një ilaç të duhur të bazuar në alkool dhe Dezintal 10%, gjegjësisht me spërkatjen do të trajtohet pjesa e brendshme e autobusit, ndërsa me dorë do të dezinfektohen edhe disa pjesë të autobusit.
Dezinfektimi plotësues vjen si masë për mbrojte kundër koronavirusit, duke pasur parasysh që transportin publik në Shkup e përdorin mesatarisht nga 115,000-130,000 qytetarë në ditë, ndërsa qindra qytetarë e vizitojnë dhe e përdorin teleferikun.
Dezinfektimi shtesë (urgjent) do të bëhet çdo ditë, derisa të merren rekomandimet e reja nga autoritetet kompetente që e monitorojnë gjendjen e koronavirusit.
Drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropë, Hans Kluhe, i cili është për vizitë në vendin tonë mendon se gatishmëria e autoriteteve në përballjen me koronavirusin është e shkëlqyeshme.
Në pyetjen e MEDIAL-s nëse ka vend për panik dhe sa është vdekshmëria nga koronavirusi në krahasim me gripin sezonal, Kluhe thotë se nuk ka arsye për panik.
“Nuk ka nevojë për panik nga alarmi dhe paniku për koronavirusin, qytetarët duhet t’i respektojnë të gjitha masat normale të mbrojtjes nga sëmundjet, ndërsa autoritetet shtetërore të jenë në gjendje të gatishmërisë. Momentalisht në nivel botëror ka 81.104 raste të koronavirusit, në 46 shtete, prej të cilave 20 vende janë në kuadër të rajonit evropian të OBSH-së në të cilin ka gjithsej 53 vende”, ka thënë Kluhe.
Përveç problemeve shëndetësore, dukuria dhe përhapja e koronavirusit mund të shkaktojë probleme ekonomike, Drejtori i Delegacionit të ekonomisë gjermane në shtet Patrik Martens thotë se bëhet fjalë për krizë globale, e cila nuk do të shkaktojë ngecje vetëm në Maqedoninë e Veriut, por ngecje edhe në ekonominë në tërë botën.
“Po, do të ketë ndikim të pjesshëm në ekonominë e Maqedonisë së Veriut. Por, konsideroj se ekonoMEDIAL e Maqedonisë së Veriut me afat të shpejtë dhe të shkurtër do të arrijë të rikuperohet nga kjo. Problemi më i madh me të cilin përballemi për momentin në vend është mungesa e kuadrit profesional të cilin ne, si Delegacion të ekonomisë gjermane përpiqemi përmes projektit tonë për arsim profesional dual që e implementojnë në vend ta ndihmojmë”, tha Martensi, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve para fillimit të panelit për pritjet dhe sfidat e biznesit që e organizoi Delegacioni.
Koronavirusi për herë të parë është shfaqur në Vuhan, Kinë më 12 dhjetor të vitit 2019. Pas përhapjes së shpejtë të sëmundjes, numri i madh i viktimave dhe të infektuarve, OBSH-ja më 30 janar shpalli “gjendje të jashtëzakonshme ndërkombëtare”.
Sëmundja bartet përmes rrugëve respiratore (teshtimë dhe kollitje), por edhe përmes prekjes me duar të papastra. Mjekimi është simptomatike, në varësi nga manifestimi i sëmundjes. Pasqyra klinike është në varësi nga ftohja e lehtë deri në formë më të rëndë, në varësi nga përfshirja e mushkërive. Rrezik për rezultat më të rëndë ka tek personat më të moshuar me sëmundje paraprake të mushkërive. Rreth 80 për qind nga 80.000 të sëmurë në botë pothuajse janë shëruar, tek 15 për qind ka disa komplikime, ndërsa tek pesë për qind ka komplikime serioze. Vdekshmëria është afër dy për qind.