Situata në tregjet globale të naftës po ndryshon çdo ditë, çmimet janë vazhdimisht në rritje dhe për rrjedhojë furnizuesit përballen me probleme me dërgimin në kohë të karburanteve tek partnerët e tyre.
“Kërkesa për derivate në vend ditët e fundit është rritur jashtëzakonisht shumë, ndërsa ndër arsyet kryesore për këtë janë spekulimet dhe zërat në opinion se do të ketë mungesë, si dhe çmimet në bursat botërore. Gjithashtu, furnizimi ishte i vështirë për shkak se distributori ynë “Okta” të dielën nuk ka punuar. Gjithashtu, në Greqi, ku blihet karburanti, e diela është ditë jopune dhe kjo e hënë është festë kombëtare. E gjithë kjo ka ndikuar në mungesën e përkohshme të derivateve të naftës në disa nga pompat tona të benzinës”, thonë nga “Makpetrol”.
Kompania, thuhet në njoftim, sot në orët e hershme të mëngjesit ka siguruar të gjithë karburantin në dispozicion nga “Okta”, ndërsa i njëjti gjatë ditës dhe natës do të dërgohet në lokacionet e “Makpetrol”.
Pritjet janë që furnizimi me të gjitha llojet e derivateve në pompat e “Makpetrolit” të normalizohet në ditët në vijim.