Nga e hëna ‘Rruga e Kombit’ me pagesë

0
16

Grupi ndërministror qeveritar dhe kompania koncesionare e rrugës Milot-Morinë kanë përmbyllur procesin e negociatave duke dalë me një formulë konkrete për tarifimin preferencial të banorëve të Qarkut të Kukësit, autobusëve të linjës dhe përdoruesve të shpeshtë.

Whats-App-Image-2025-10-03-at-22-54-06-f3965d67

Burimet nga grupi negociator sqarojnë se të gjitha automjetet e regjistruara në Qarkun e Kukësit do të paguajnë një tarifë prej 100 lekë me TVSH për një kalim. Përdoruesit e Qarkut të Kukësit do të parablejnë përmes telepass në mënyrë të përshkallëzuar deri në 44 kalime në muaj me këtë tarifë të reduktuar.

Reduktimi i tarifës do të prekë gjithashtu edhe linjat e transportit publik, që kryejnë udhëtime nga dhe për në qytetin e Kukësit. Tarifa e tyre e kalimit do të jetë gjithashtu 100 lekë me TVSH për një kalim.

Kategoria e tretë përfituese e tarifave të lehtësuara është ajo e përdoruesve të shpeshtë të rrugës ku përfshihen qytetarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës, të cilët e përdorin aksin rrugor në mënyrë të vazhdueshme. Parimi i vendosur është ai i reduktimit të tarifës në varësi të numrit të udhëtimeve. Sa më shumë të udhëtosh aq më shumë përfiton nga ulja.

Pas bisedimeve të zhvilluara me përfaqësuesit e biznesit të Kosovës dhe Shqipërisë, duket se qeveria ka pranuar propozimin e tyre për të shtyrë rinisjen e zbatimit të tarifës në Rrugën e Kombit pas përfundimit të sezonit turistik. Është rënë dakord që kalimi me pagesë të nisë më 17 shtator.

Fatura për politikat lehtësuese do t’i kaloje buxhetit të shtetit, i cili për 30 vite do ti paguaj koncesionarit 48.5 milionë euro.

Vendosja e tarifës u shty pas sezonit turistik edhe si pasojë e kërkesës së bërë nga bizneset kosovare dhe përfaqësuesit e qeverisë, në mënyrë që të mos rezultonte një barrë më tepër për pushuesit që vijnë nga Kosova. Pavarësisht këtyre lehtësirave, banorët e Kukësit dhe drejtuesit vendorë kanë kërkuar që pagesa për ta të jetë 0 lekë.

Tarifat e propozuara fillimisht janë më të lartat në Evropë dhe nuk përkojnë me gjendjen ekonomike të familjeve dhe të bizneseve në të dyja vendet.

Tarifa e kalimit në rrugën Durrës-Kukës u vendos për herë të parë në fillim të muajit prill në masën 5 euro për një kalim ose 10 euro vajtje-ardhje. Kjo pagesë u kundërshtua nga banorët, të cilët dy ditë pas vendosjes së taksës protestuan duke djegur pikën e kalimit me pagesë.

Tarifat për kalimin në Rrugën e Kombit:

Tarifa për banorët e qarkut të Kukësit 100 lekë
Edhe për 11 linja të transportit publik pagesa 100 lekë
Për përdoruesit e shpeshtë është parashikuar që:

Nga 10 deri në 30 kalime në muaj, zbritje në masën 10%
Mbi 30 deri në 50 kalime në muaj, zbritje në masën 20%
Mbi 50 deri në 60 kalime në muaj, zbritje në masën 30%


Whats-App-Image-2025-10-03-at-22-47-36-76a070c5