Pasi jetuan më shumë se dy javë në trotuar, mbrëmja e së enjtes rezervoi një surprizë për Ruzhdi dhe Suzana Kojkun. Në ato kushte të vështira, me temperatura nën zero gjatë natës, edhe shëndeti i tyre ishte vënë në rrezik.
Imami Elvis Naçi, këngëtari Sidrit Bejleri dhe Ilir Hoxholli vizituan strehën e plasmasit të ngritur nga çifti Kojku buzë Lanës.
Bamirësit i siguruan çiftit të moshuar pagesën e qirasë për 6 muajt e ardhshëm, si dhe ushqime të mjaftueshme për të kaluar dimrin.
“Sinqerisht shtëpia ime nuk është shumë larg nga vendi ku rrinin Suzana dhe Ruzhdiu, e të them të drejtën nuk kishim informacion. Pasi ju dhatë lajmin në televizionin Top Channel, aty ne u njoftuam me këtë dramë. Kjo është edhe e mira e një televizioni të fuqishëm, që evidenton dhe bën publik një rast të vështirë si ky. Shpresoj që kjo që ne po bëjmë, të kthehet në një model për të gjithë shqiptarët, kudo që shikojnë një rast të tillë. Të mos presin që të na lajmërojnë neve, por le të mblidhen kolegë në një punë, studentë në një shkollë, apo fqinjët që janë përreth, e mos t’i lemë shqiptarët tanë në rrugë në këtë të ftoht të madh. Është një amanet dhe një qytetari që shqiptari t’i shtrijë dorën shqiptarit”, tha imami Elvis Naçi.
Ruzhdi dhe Suzana Kojku kishin ndërtuar një banesë buzë Lanës që në vitin 1994, por ajo u prish para një viti, pasi prekej nga projekti për vijimin e unazës që lidhet me zonën e Shkozës në kryeqytet. Pas 9 muajsh iu ndërpre edhe bonusi i qirasë, ndërkohë që banesa e tyre ka qenë në proces legalizimi dhe për këtë kanë kryer edhe pagesa.
“Falënderoj televizionin Top Channel dhe stafin e tij për këtë mrekulli që më bënë, që të mos rrija më në plasmas”, tha Suzana Kojku.
Pas 6 muajsh, Ruzhdiu dhe Suzana mund të jenë sërish në situatë rruge, ndaj ata kërkojnë përfshirjen në programin e banesave sociale./Top Channel