Mbrëmjen e djeshme, në ambientet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, u shënua 4 Korriku – Dita e Pavarësisë së Amerikës.
Në një ceremoni festive, përpara një numri të madh të ftuarish, partnerësh dhe miq të SHBA-ve, ambasadorja Angela Ageler përcolli mesazhe për liri, partneritet dhe një të ardhme të përbashkët. Ajo theksoi se, edhe pse në këtë pjesë të botës 249 vjet nuk konsiderohen shumë, për Shtetet e Bashkuara ato përfaqësojnë dëshminë e një kombi të vogël, por energjik dhe të fuqishëm, të ndërtuar mbi themelet e lirisë, vetëqeverisjes dhe mbrojtjes së të drejtave themelore.
Ageler kujtoi gjithashtu se ky vit shënon edhe 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet SHBA-ve dhe Maqedonisë së Veriut.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe përfaqësues të lartë shtetëror, duke i dhënë ceremonisë një dimension të veçantë diplomatik dhe simbolik.