Të dhëna shqetësuese për sigurinë dhe mirëqenien e punëtorëve shpalosi shoqata për mbrojtjen e punëtorëve. Punëtorët e tekstilit, ndërtimtarisë dhe bujqësisë punojnë në kushte çnjerëzore dhe jo të shëndetshme, thonë nga kjo shoqatë, duke shtuar se kushtet e punës shkelen vazhdimisht dhe kjo paguhet me gjak.
“Nga një studim i fundit që kemi bërë për sektorin e tekstilit, ku kemi mbuluar një të katërtën e punëtorëve, kemi konstatuar se të paktën 80% e punëtorëve në industrinë e tekstilit kanë diagnoza të caktuara shëndetësore. E gjithë kjo thotë se jemi të sëmurë në vendet tona të punës”, tha Milan Petkovski, kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Punëtorëve.
Në vitin 2021 në vend kanë ndodhur 165 aksidente në vende të punës, por sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik janë rreth 1500 me dëmtime të rënda në vit. Petkovski thotë se dikujt duhet t’i vijë turp dhe të mbaj përgjegjësi.
“Çdo javë humbasim një punëtor në vendin e punës. Dhe në statistikat që kemi në dhjetë vitet e fundit, kemi një ushtri prej 400 punëtorësh të vrarë në vendin e punës”, deklaroi Milan Petkovski, kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Punëtorëve.
Me probleme të njëjta ballafaqohet edhe Mali i Zi.
“Problemet janë të njëjta në të gjithë Ballkanin, ne në Mal të Zi po ballafaqohemi me një numër të madh të lëndimeve, për fat të keq kemi mungesë të evidentimeve, mungesë të sistemit për evidentim e të lënduarve, ndërsa problem më të madh kemi me mungesën e të dhënave nga sëmundjet profesionale”, tha Xhina Jankoviq, shoqata për mbrojtje në punë – Mali i Zi.
Në vendin tonë vetëm vitin e kaluar kanë ndodhur 30 fatkeqësi me lëndime të rënda dhe me pasoja fatale. Shkalla e vdekshmërisë vendin e punës në vitin 2021 është 3.77%, pra për çdo 100 mijë punonjës, pothuajse 4 punonjës vdesin në vendin e punës.