*Edhe pse prezenca e bimëve mjekuese dhe aromatike në rajonin më perëndimor të vendit është shumë e madhe, nga viti në vit ka një ulje rapide të familjeve apo individëve të cilët i grumbullojnë këto bimë. Të dhënat zyrtare thonë se në Maqedoninë e Veriut, ka rreth 700 lloje të bimë mjekësore dhe aromatike, nga të cilat rreth 220 më shpesh janë të përdorura dhe të përmendura në “Listën e bimëve dhe erëzave mjekësore dhe aromatike”, nga Agjencia për Financim të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, thekson Shoqata për ruajtjen e agrobiodiversitetit, zhvillimit rural dhe natyrës “AKORN” Shkup.
Rajoni më i gjerë i Dibrës po ashtu ka shumë bimë të këtyre llojeve, por pak është investuar në aspekt të rritjes të vetëdijes tek popullata për grumbullimin e bimëve mjekuese dhe aromatike. Popullata lokale kryesisht ka grumbulluar këto bimë në malet përreth siç janë Stogova, Deshati, Kërçini, Korabi etj.
Në të kaluarën, në Dibër ka patur edhe një pikë grumbulluese e që tanimë nuk ekziston. Po ashtu është shuar edhe pika e grumbullimit në fshatin Jançe të Komunës Mavrovë dhe Rostushë. Familjet, të cilët janë marrë me grumbullimin e bimëve mjekuese dhe aromatike janë pakësuar edhe atë, siç thonë, për shkak të çmimeve të ulëta, por edhe për shkak të faktit se popullata e re migron dhe të moshuarit jo gjithmonë nisin rrugëtimin e grumbullimit të bimëve në fjalë.
Vite me radhë familjet që merren me grumbullimin e tyre nuk janë të kënaqur me çmimet që ata marrin nga tregtarët të bimëve mjekuese dhe aromatike. Në fshatrat e rajonit Reka e Poshtme, edhe sot ka familje që merren me grumbullimin e bimëve.
Në bisedë me familjet Neziri dhe Ramadani, na informuan se janë marrë me grumbullimin e dëllinjës, blini fletë vogël, gështenja e egër, kamomili, konupica, hithra mosha e egër, shtogu i zi, urthi , sherbela, rigoni i kuq, rigoni i bardhë…. Megjithatë, sipas tyre, para tetë viteve tregtarët paguanin çmime të mira, por vitet e fundit kjo nuk ndodhë edhe pse për tregtarët ofrojmë bimë me kualitet të lartë. Kjo ka bërë që në qytetin e Dibrës të ulet numri i familjeve që merren me grumbullimin e bimëve mjekuese dhe aromatike.
“Nuk ka interes për këtë aktivitet meqë nuk ka shumë para, por problem është edhe mungesa e pikës grumbulluese. Vijnë tregtarë dhe ata caktojnë çmime shumë të ulëta”, tregon Ramaan T. i cili jeton vitet e 50-ta.
Këto ditë, disa nga shoqatat qytetare të Dibrës dhe komunave rurale Qendër Zhupë dhe Mavrovë dhe Rostushë, kanë patur takime dhe kanë vlerësuar se duhet të shfrytëzohet pasuria e bimëve mjekuese dhe aromatike. Sipas tyre, nevojitet më shumë mbështetje për familjet dhe personat të cilët merren me këtë aktivitet që ka të bëjë me grumbullimin e bimëve mjekuese dhe aromatike, me qëllim që edhe mbledhja e bimëve të bëhet në mënyrë siç duhet, meqë edhe ata që po grumbullojnë aktualisht, gjatë mbledhjes shpesh po dëmtojnë bimët. /Koha/