Të dhënat alarmante për numrin e vetëvrasjeve në Maqedoni. Vetëm tre vitet e fundit, në Maqedoni jetës i kanë dhënë fund 355 persona, thonë për gazetën Koha nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Jetës kanë vendosur ti japin fund 209 persona nga qytetet dhe 146 nga fshatrat. Prej tyre, 264 meshkuj dhe 91 femra. Arsyet dhe motivet e vetëvrasjeve kanë qenë nga më të ndryshmet, disa janë helmuar, disa janë varur, disa janë hedhur në ujë, kanë kërcyer nga lartësia, kanë prerë venat, probleme mendore, zënka familjare, të dëshpëruar nga dashuria etj.
Mesatarisht, në një vit ndodhin 110 vetëvrasje, numër më i lartë se vrasjet dhe fatkeqësisht vetëflijimi ka ndodhur tek moshat mbi 30 vjeç. Sipas policisë, vitin e kaluar jetës i kanë dhënë fund 103 persona.
“Në vitin 2017 kanë ndodhur 103 vetëvrasje, 64 prej tyre në qytet, 39 në fshat, 60 persona janë varur, 18 me armë, 6 janë hedhur në ujë, 10 persona janë helmuar, 7 persona kanë kërcyer nga lartësia, 19 persona jetën e kanë humbur me mënyrë të ndryshme, 32 kanë pasur çrregullim mendor, 25 kanë pasur motiv sëmundjen, 46 për motiv të ndryshëm, prej tyre 73 meshkuj dhe 30 femra, 1 të moshës deri 18 vjeçe, 5 të moshës 18 deri 35, 91 mbi moshën 30 vjeçe”, informojnë nga MPB. Sipas po këtyre të dhënave të policisë, në vitin 2016 kanë ndodhur 136 vetëvrasje, dy raste kanë pasur motive dashurie.
“Tetëdhjetë në qytet, 56 në fshat, me varje 71, me armë 22, janë hedhur në ujë 2 persona, 12 janë helmuar, kanë kërcyer nga lartësia 17 njerëz, kanë prerë venat 2, 41 me mënyra tjera të ndryshme, çrregullim mendor 37 persona, zënkë familjare 5, probleme dashurie 2, nga sëmundja 36, për motiv të ndryshëm 56, prej tyre 103 meshkuj dhe 33 femra, 2 të moshës deri 18 vjeçe, 17 të moshës 18 deri 35, 117 mbi moshën 30 vjeçe”, informon policia. Vrasjet më të shumta gjatë vitit 2015 kanë ndodhur me varje.
“116 vetëvrasje kanë ndodhur në vitin 2015. 65 në qytet, 51 në fshat, 78 kanë ndodhur me varje, 13 me armë, 12 janë hedhur në ujë, 12 janë helmuar, 7 kanë kërcyer nga lartësia, 1 person ka prerë venat, 20 të tjerë me mënyrë të ndryshme, 39 kanë pasur çrregullim mendor, 13 zënkë familjare, 18 të dëshpëruar nga sëmundja, 46 për motive të ndryshëm, prej tyre 88 meshkuj dhe 28 femra, 3 të moshës deri 18 vjeçe, 10 të moshës 18 deri 35, 103 mbi moshën 30 vjeçe”, deklarojnë për Koha nga MPB. Nga ana tjetër, të dhënat zyrtare të Institutit për shëndet publik (ISHP) të Maqedonisë thonë se numri i personave me depresion vazhdimisht rritet.
“Numri i pacientëve të trajtuar nga episode depresioni dhe çrregullime depresive rekurente (F32-F33) me kalimin e viteve vazhdon të rritet. Në vitin 2010 numri i personave të trajtuar ka qenë 585 nga të cilët 196 meshkuj dhe 389 femra, ndërsa në vitin 2015 ky numër ka qenë 803 nga të cilët 257 meshkuj dhe 389 femra, që paraqet një rritje prej 37 për qind. Shkalla e morbiditetit spitalor në vitin 2015 arrin 4 raste në 10 000 banorë”, informon ISHP.
Shkaqet që kanë çuar në këtë bilanc tragjik për ekspertët e shëndetit dhe psikologët lidhen me tranzicionin social ekonomik që përfshin gjendjen ekonomike, varfërinë, emigrimin dhe pasiguritë e tregut të punës. Vetëvrasjet nga ana mjekësore trajtohen si problem të shëndetit mendor, pavarësisht se është një çështje komplekse. Ekspertët e shëndetit e venë theksin tek trajtimi i personave që kanë tentuar vetëflijimin. Vetëvrasja është e lidhur ngushtësisht me depresionin. Të dhënat tregojnë se 279 persona në 100 mijë banorë janë prekur nga depresioni. Në Rajon, Shqipëria renditet e fundit. Numrin më të lartë e ka Serbia me 358 persona, 350 Mali i Zi, dhe 304 Bosnje Hercegovina.