Gjykata Administrative pranoi ankesën e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës për votimin në vendvotimin 0543 në Dibër.
Kjo do të thotë se rezultatet e votimit për kryetar dhe këshilltarë në atë vend janë anuluar. Në Dibër më 31 tetor nuk do të ketë raund të dytë votimi, por në vendvotimin e përmendur do të mbahet rivotim.
Në raundin e parë, kandidati i Aleancës-Alternativës në Dibër, Bekim Pocesta fitoi 285 vota më shumë se rivali Hekuran Duka nga BDI.
Në këtë vendvotim janë regjistruar 697 votues. Në raundin e parë votuan 468 persona. Pocesta ka marrë 271 vota, ndërsa Duka 195. Në vend të tretë është kandidati i PDSH-së, Petrit Klenja. Ai mori vetëm 2 vota.
Ky vendim i Gjykatës Administrative vjen pasi koalicioni opozitar shqiptarë bëri ankesë ndaj procesit zgjedhor për disa arsye.
Ndër të tjera, procesverbali nuk është nënshkruar nga shumica e anëtarëve të Këshillit Zgjedhor, nuk janë deklaruar arsyet për këtë, nuk ka pasur nënshkrim nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve, dhe procesi në këtë vendvotim është udhëhequr nga një kryetar i cili më parë ka qenë i shkarkuar nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve.
Në emër të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë Veriore, Kryetari i Këshillit pas shqyrtimit dhe votimit publikisht e shpalli Vendimin për padinë me këtë fjali:
“AKTGJYKIM
Padia e paditëses Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa nga Tetova, e ngritur kundër Vendimit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor UP1 nr. 11-27 nga data 20.10.2021, PRANOHET.
Vendimi i kontestuar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve UP1 nr. 11-27 nga data 20.10.2021, ANULOHET DHE VENDOSHET SI MË POSHTË:
PRANOHET ankesa e Koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa nga Tetova për shkelje të procedurës së votimit dhe përmbledhje të rezultateve të parashikuara me Kodin Zgjedhor.
Anulohen rezultatet e votimit për listat për kandidatët për kryetar dhe këshilltarë të Komunës së Dibrës, për vendvotimin nr.0543 në Zgjedhjet Lokale 2021.” thuhet në aktgjykim./InfoShqip.com