Qeveria ka miratuar 14 vendime për drejtorë të rinj. Megjithatë, kryeministri Zoran Zaev thotë se është akoma në kërkim të kuadrove të reja që do t’i zëvendësojnë zyrtarët që do t’i prekë “fshesa”. Kreu i ekzekutivit tha se për një pjesë të drejtorëve do të vendosin vet ministrat.
14 vendime janë miratuar por duhet edhe te paktën 10 të tjera. Nuk është ideja vetëm të shkarkohen, por duhet biseduar edhe me kandidatët potencial, kushtet e tyre, janë për pozicionet e tyre ose jo. Kur do t’i kemi të gjitha vendimet, do t’i kumtojmë. Për një pjesë të tyre, Qeveria sjell vendim ndërsa pjesën tjetër e bëjnë ministrat me vendimin e tyre dhe në fund Qeveria vendos bashkërisht- deklaroi Zoran Zaev.
Propozimet pritet të shqyrtohen në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë. Ndërkohë negociatat vazhdojnë. Jo zyrtarisht mësohet se partnerët e koalicionit LSDM-BDI janë marr vesh që me MEPSO-n të udhëheq kuadër i BDI-së, ndërsa partia e Ahmetit të heq dorë nga ndërmarrjet publike “Rrugët e Maqedonisë” dhe Hekurudhat e Maqedonisë-Infrastruktura”. Mësohet se BDI-së i është kërkuar të heq dorë nga Byroja e Furnizimeve Publike me të cilën udhëheq Bardhyl Nasufi, Agjencia për Investime të Huaja ku drejtor është Vullnet Ademi dhe nga Qendra e Shërbimeve në Klinika me të cilën udhëheq Shkodrane Dardhishta. Në këmbim mësohet se BDI-së i është ofruar Agjencia për Inovacione Teknologjike, Inspektorati i Tregut dhe Drejtoria për Çështje Pronësore-Juridike. Në suaza të ndryshimeve nga eshaloni i tretë, ndonëse ishte paralajmëruar, partnerët e koalicionit nuk ndajnë detaje nëse është biseduar edhe për ndryshime nga radhët e zëvendësministrave ose jo.