
Muhamet Ajeti i përgjigjet Arben Llallës: Të thuash se vota për Bilall Kasamin është “nënshtrim” është fyerje për qytetarët
Ish-gazetari Muhamet Ajeti ka kritikuar zërat dhe analistët të cilët thonë se vota për Bilall kasamin është votë për “nënshtrim” dhe “servilizëm”. Ajeti shkruan se “Tetova nuk ka nevojë për shkrime që e përdorin krenarinë e saj për qëllime partiake”.

Ajeti më tej thekson se Tetova është lodhur nga premtime boshe, nga korrupsioni, nga paaftësia dhe nga mungesa e zhvillimit që e kanë shoqëruar për më shumë se dy dekada qeverisje të njëanshme.
Ish-gazetari thotë se “të thuash se vota për Bilall Kasamin është “nënshtrim” është fyerje për qytetarët qe votuan atë”.
“Pasi shumë persona në rrjetet sociale, përfshirë edhe z. Arben Lala, nuk lënë mundësi për komentim në postimet e tyre, ndjej detyrim qytetar të shpreh publikisht shqetësimin tim ndaj shkrimit të tij të fundit, i cili më shumë se reflektim, ngjan me një shpërthim mllefi dhe përbuzjeje ndaj qytetit të Tetovës dhe njerëzve të tij. Zotri Lala, Tetova nuk ka nevojë për shkrime që e përdorin krenarinë e saj për qëllime partiake. Ky qytet nuk është pronë e asnjë partie, as e BDI-së, as e VLEN-it, as e ndonjë individi që përpiqet ta paraqesë veten si shpëtimtar. Tetova është e qytetarëve të saj, e atyre që punojnë, që sakrifikojnë dhe që nuk ushqehen me propagandë. Është e padrejtë të flitet për “nënshtrim” e “servilizëm” sikur këto plagë të kenë lindur dje. Tetova është lodhur nga premtime boshe, nga korrupsioni, nga paaftësia dhe nga mungesa e zhvillimit që e kanë shoqëruar për më shumë se dy dekada qeverisje të njëanshme. Nëse qyteti është i “plaçkitur dhe i shitur”, siç e ndien çdo tetovar, ky nuk është kontribut i atyre që kanë ardhur rishtazi, por e atyre që kanë pasur pushtetin për 20 vite dhe nuk e përdorën për të ndërtuar, por për të sunduar. Të flasësh për “dinjitet kombëtar” ndërkohë që mbron një strukturë që ka dështuar të sjellë zhvillim, është hipokrizi. Patriotizmi nuk është flamur që ngrihet vetëm në fushatë. Ai dëshmohet me punë, ndershmëri dhe përkushtim ndaj qytetarëve, jo me fjalë të mëdha e me frikësime boshe. Tetova nuk ka nevojë për “engjëj” të rinj, por për udhëheqës të përgjegjshëm që e duan qytetin më shumë se ardhacakët. Askush nuk duhet ta frikësojë Tetovën me slogane për “humbje të krenarisë kombëtare”.Krenaria e këtij qyteti nuk varet nga një parti, por nga njerëzit që çdo ditë e mbajnë gjallë me punë e dinjitet. Të thuash se vota për Bilall Kasamin është “nënshtrim” është fyerje për qytetarët qe votuan atë. Në vend të fjalëve për “servilizëm” e “vasalitet”, le të flasim për punësimin partiak, për mungesën e ujit, për ndotjen, për mungesën e planeve urbane, për ikjen e të rinjve, gjera qe po ndodhin tani e 20 vjet. Këto janë plagët e vërteta të Tetovës, plagë që nuk i solli katervjeçari i fundit, por qeverisja e gjatë dhe e papërgjegjshme. Edhe diçka, Tetova nuk ka nevojë për të zgjedhur mes “engjëjve” dhe “alienëve”, por mes të vërtetës dhe mashtrimit. Ajo nuk duhet të votojë nga frika, por nga vetëdija. Kush e do Tetovën, e do me kritikë të ndershme, jo me lavde boshe. Kush e do qytetin, nuk përkulet para fjalëve boshe, por ngrihet për drejtësi dhe dinjitet real. Tetova nuk ka nevojë të zgjohet nga gjumi, ajo është zgjuar. Tani kërkon konsistence, kërkon vazhdimësi dhe kërkon që fjalët për “krenari kombëtare” të mos përdoren më si mburojë për dështimet e vjetra. Kjo është Tetova e Bilall Kasamit dhe tetovarëve, ajo që nuk frikësohet nga e vërteta”.


