Kryeministri Edi Rama ishte në spitalin e Traumës mbrëmjen e sotme ku vizitoi dy vogëlushë të mbijetuar nga tërmeti. Rama fillimisht ndaloi pranë krevatit të Aurelit, djalit që e kishte kërkuar me ngulm ta vizitonte më pas te Alesio, që u hodh nga kati i pestë i pallatit në Thumanë pas tërmetit. Rama u shpreh se “Dy fëmijët do të vijnë në shtëpinë time nëse nuk kanë të shkojë. Brenda mesit të dhjetorit do ketë shtëpi për të gjithë”.
Në spitalin e Traumës në Tiranë mes personave që janë shtruar të lënduar si pasojë e tërmetit janë edhe dy fëmijë 7 dhe 10 -vjeç, Aurel Lala dhe Alesio Cakoni. Dy fëmijët sipas ministres së Shëndetësisë kishin kërkuar që t’i vizitonte kryeministri dhe Rama nuk nguroi që të shkonte për t’u lehtësuar dhimbjen nga trauma që përjetuan edhe pse ende nuk e dinë se kanë humbur njerëzit e tyre të afërt. Alesio Cakoni 10 vjeç ka humbur babanë dhe motrën.
10-vjeçari sipas dajës së tij, u hodh nga kati i pestë i pallatit për të shpëtuar në momentin që ra tërmeti dhe sot fatmirësisht është mirë. Ndërsa Aurel Lala ka humbur motrën nga tërmeti, nëna është lënduar lehtë, ndërsa babai ishte emigrant në Greqi dhe u kthye sapo mori vesh lajmin. Rama u shpreh se “Dy fëmijët do të vijnë në shtëpinë time nëse nuk kanë të shkojë. Brenda mesit të dhjetorit do ketë shtëpi për të gjithë”. Historitë kanë tronditur kryeministrin që u përlot në momentin që doli nga spitali.