Ministria e Punëve të Brendshme, ka marrë një vendim në bazë të së cilit kërkohet legalizimi i armëve.
Në vendimin e nënshkruar nga ministri Ekrem Mustafa bëhet e ditur se duhet të shpallet afati kohor për fillimin e procesit të legalizimit të armëve.
“Afati kohor nga pika 1 e këtij Vendimi shpallet për periudhën gjashtë mujore dhe fillon nga data 17 dhjetor 2018 deri më datë 17 qershor 2019”, thuhet në vendim.
Po sipas një vendimi të tillë, përkatësisht në pikën 3, thuhet se gjatë afatit kohor për legalizimin dhe dorëzimin e armëve, municionit dhe mjeteve eksplozive do të pezullohet zbatimi i nenit 374 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Në bazë të këtij neni, kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.
Nëse vepra penale nga paragrafi i parë i këtij neni përfshin më shumë se katër armë ose më shumë se 400 fishekë, kryesi dënohet me burgim prej dy deri në 10 vjet.
Në fund thuhet se obligohet organi kompetent për zbatim të këtij vendimi, i cili hyn në fuqi menjëherë. /Telegrafi/