Ligji i ri i migracionit të fuqisë punëtore të kualifikuar në Gjermani, vazhdon ta mbajë derën të mbyllur për punëtorërt me trajnime më të shkurtra se dyvjeçare ose me vetëm përvojë pune. E vetmja zgjidhje për ta është Rregullorja e Ballkanit Perëndimor. Në intervistë me DW, drejtori i rrjetit të bizneseve shqiptare në Gjermani, Mustaf Abazi, shpjegon se si funksionon kjo rregullore.
Deutsche Welle: Zoti Abazi, para se të nisim bisedën, na thoni dy fjalë për kompaninë tuaj.
Mustaf Abazi: Unë, prej tashmë 15 vjetësh, drejtoj një kompani që merret kryesisht me suvatime të brendshme dhe punime të jashtme, sidomos me fasadimin e objekteveve.
Cilat janë kualifikimet që kërkohen në zanatin tuaj?
Në Gjermani ka vërtet një mungesë të madhe të punëtorëve të kualifikuar, edhe në ndërtimtari. Prej vitit 2016 ekziston mundësia e ardhjes në Gjermani me vizë pune nga Shqipëria dhe Kosova, me Rregulloren e Ballkanit Perëndimor, dhe besoj se ka ardhur një numër shumë i madh dhe shumë të tjerë janë në pritje.
A duhet të jenë të kualifikuar këta persona?
Mirë është të kenë një kualifikim, së paku njohuri pune. Por ne kemi punësuar edhe njerëz pa njohuri fillestare, dhe kemi arritur me stafin tonë që t’ua mësojmë punën. Por është shumë e rëndësishme që ata që duan të vinë këtu, të kenë së paku përvojë pune në vendet prej nga vijnë,
Që ta sqarojmë, ju e keni fjalën gjithnjë për Rregulloren e Ballkanit Perëndimor. Po ligji i ri gjerman për imigrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar që hyri në fuqi më 1 mars të këtij viti u jep përparësi personave me kualfikim së paku dyvjeçar. A ka në Shqipëri dhe Kosovë kulafikime të këtij lloji në profesionin tuaj?
Ka, edhe në Shqipëri dhe në Kosovë, kemi shkollat e zanatit (në Shqipëri shkollat profesionale). Diploma nga këto shkolla është një lehtësim i madh për ata që duan të vijnë. Atyre mund t’u rritet edhe paga. Megjithatë, për ne mjaftojnë edhe njerëz me përvojë pune, edhe pa patur një çertifikatë të tillë.
Por këtyre u duhet një kontratë që të marrin vizë pune, apo jo?
Gjithsesi. Ata duhet të lidhin kontratë me punëdhënësit e këtushëm. Kontrata shkon në zyrën e punësimit dhe ata shikojnë se a ka gjermanë, që janë pa punë, apo njerëz nga Evropa, dhe nëse nuk ka kandidatë të tjerë për këtë vend pune, atëherë Zyra e Punës e lejon edhe një kontratë për dy-tre vjet. Me këto letra nga Zyra e Punësimit, ata mund të shkojnë në Ambasadë në Shqipëri apo Kosovë, dhe të marrin një vizë pune për Gjermani.
Por pritja është shumë e gjatë. Cilat janë arsyet?
Ne kemi një masë shumë të madhe të komunitetit shqiptar në Gjermani.Ndoshta ka pasur edhe keqpërdorime të vizave. Por edhe ka pasur shumë vetë që kanë përfituar nga ky rregull, deri tani afërsisht 20 mijë.
Ndërkohë të tjerët vijnë si turistë dhe nisin punën në mënyrë ilegale. Çfarë risku marrin ata përsipër?
Ne si punëdhënës nuk guxojmë t’i punësojmë se dënimet janë shumë të mëdha. Shkojnë nga 10 mijë deri në 100 mijë euro, nëse një puëtor kapet në të zezë. Dhe, veç kësaj, atyre do t’u bëhet nga një ndalesë, prej dy deri në pesë vjet. Në këto kohë ai nuk ka të drejtë të hyjë më në Gjermani. Kështu që nuk ia vlen të bëhet, sepse rrezikojnë shumë.
Dhe dy fjalë për shoqëatën tuaj. Ju jeni drejtues i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani. Çfarë mund të bëni ju për t’ua lehtësuar bashkatdhetarëve ardhjen në Gjermani?
Shoqata jonë është e regjistruar në 17 vende të botës. Ne kemi synim të lidhemi me njëri-tjetrin dhe kështu e kemi më të lehtë t’i sistemojmë njerëzit që vijnë nga Kosova apo Shqipëria në kompanitë tona. Kështu nuk e kanë të nevojshme as të mësojë gjuhën deri në nivel të lartë, por ka mundësi edhe me një nivel prej A2, të vijnë këtu.
Ju vetë keni ardhur si refugjat para 25 vjetësh. Çfarë këshille mund t’u jepni migrantëve shqiptarë që duan ta ndërtojnë jetën në Gjermani?
Të integrohen në shtetin gjerman, në kulturën gjermane e të fillojnë të mësjojnë gjuhën gjermane, nëse duan të rrinë për një periudhë afatgjate.
Ju, kur erdhët atëherë, a e merrnit me mend që do të rrinit këtu 25 vjet?
Nuk e kisha menduar kurrë. Ne atëherë kemi ikur nga lufta. Çdo vit kemi pasur dëshirë të kthehemi, situata në Kosovë ishte e vështirë deri sa u çlirua Kosova, dhe pastaj u vendosëm këtu, krijuam familje dhe mbetëm.
Intervistoi Anila Shuka
Për vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë në fuqi deri në fund të këtij viti Rregullorja e Ballkanit Perendimor, Nëse ajo e do të zgjatet, kjo varet nga shumë faktorë. Së fundmi, shumë politikanë të partisë qeverisëse, CDU/CSU, ishin shprehur kundër zgjatjes, sepse sipas tyre Gjermania ka papunësi të lartë te personat e pakualifikuar. Sipas statistikave, në periudhën nga fundi i vitit 2015 e deri në fund të vitit 2018, numri i lejeve të qëndrimit për shkak të punësimit për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, u rrit nga 13 000 deri në 66 000. Mbi 31 000 syresh nuk kishin asnjë kualifikim, bën të ditur Enti Federal i Migracionit./DW