MOS PËRDOR TELEFON CELULAR GJATË VOZITJES SË AUTOMJETIT!
Jeta moderne nuk mund të paramendohet pa përdorimin e telefonit celular. Por, përkundër përparësive dhe funksionalitetit, përdorimi i tij derisa jeni të përfshirë në komunikacionin rrugor mund të shkaktojë situata të padëshiruara.
Përdorimi i telefonit celular gjatë vozitjes së automjetit e shpërqendron vëmendjen në radhë të parë (të folurit në telefon е shpërqendrоn vëmendjen, ndërsa të shkruarit e mesazheve në telefon është dy herë më i rrezikshëm, sepse jo vetëm që e shpërqendron vëmendjen, por për momentin shoferi aspak nuk e shikon rrugën dhe komunikacionin në të cilin është i përfshirë).
Sipas të dhënave statistikore nga institucionet relevante nga SHBA-ja, shoferët që përdorin telefonin celular gjatë vozitjes së automjetit kanë 23 për qind më shumë mundësi për t’u përfshirë në aksident të komunikacionit sesa shoferët e tjerë, ndërsa hulumtimi i OBSH-së tregon se përdorimi i telefonit celular gjatë vozitjes së automjetit e rrit rrezikun e aksidenteve në komunikacion për 4 deri në 9 herë.
Studimi nga Universiteti në Juta, SHBA, tregon se koha e reagimit të shoferit të ri që përdor telefon celular është e njëjtë me atë të shoferit 70-vjeçar që nuk përdor telefon celular, ndërsa sipas Institutit të Transportit të Virxhinias, dërgimi i mesazheve gjatë vozitjes ka gjashtë herë më shumë gjasa të shkaktojë aksident në komunikacion sesa vozitja në gjendje të dehur.
Përdorimi i telefonit celular gjatë vozitjes së automjetit është i rrezikshëm, por edhe në kundërshtim me Ligjin për siguri në komunikacionin rrugor. Pavarësisht kësaj, një numër i madh i shoferëve përdorin telefon celular gjatë vozitjes së automjetit, gjë që bie ndesh me Ligjin dhe e rrezikojnë sigurinë në komunikacionin rrugor.
KRSKRR-ja bën thirrje: Mos përdor telefon celular gjatë vozitjes së automjetit! Çdo thirrje telefonike mund të pres. Tregoni kujdes për sigurinë tuaj dhe për sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.