Katër vite pas një gabimi të turpshëm, një kirurg zviceran të premten është dënuar në Lugano TI, për shkak se ai ia kishte hequr gjinjtë një pacientes së gabuar të sëmurë nga kanceri, ai u dënua me tetë muaj burgim me kusht.
Kirurgu Paolo P. (65) i cili në Klinikën “Sant’Anna” të Luganos gabimisht ia hoqi pacientes së tij Teresa S. (67) të dy gjinjtë dhe pastaj e ndryshoi raportin mjekësor, të premten është dënuar nga Gjykata penale e Luganos.
Gjykatësi e dënoi mjekun për shkak të lëndimit të pakujdesshëm dhe falsifikimit të dokumenteve me tetë muaj burgim me kusht, për një periudhë provuese prej dy vitesh.
Akuza kirurgun e rëndonte për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore me neglizhencë, si dhe falsifikim të dokumenteve, përcjell albinfo. Para veprimit të tij, ai nuk ishte siguruar ashtu siç e parasheh obligimi i tij, se cila paciente gjendet para tij, duke e zëvendësuar me një paciente tjetër, shkruajnë mediat zvicerane.
Si rezultat i këtij gabimi, në korrik të vitit 2014, ai pacientes së prekur ia ka amputuar të dy gjinjtë, edhe pse bëhej fjalë vetëm për një tumor të vogël në majën e njërit gji që duhej operuar. Përpos kësaj, ai ishte përpjekur të justifikonte më vonë ndërhyrjen kirurgjikale në regjistrat përkatës të klinikës.
Në këtë proces, kirurgi të gjitha përgjegjësitë ia hodhi anesteziologut, i cili ishte përgjegjës për sqarimin e identitetit të pacientëve. Por, Prokuroria nuk e pranoi këtë dëshmi sepse kirurgu as që kishte kërkuar emrin e pacientit.
Prokurori kërkoi një gjobë prej 120 normave ditore (rreth 56.000 franga) dhe një gjobë prej 3.000 frangash, ndërsa pala mbrojtëse këmbënguli për lirim nga akuza.
Nëpër mediat zvicerane, procesi ka shkaktuar reagime të shumta. E gjithë kjo, pasi gazetarët që zbuluan rastin, u paditën nga klinika për dëmtim të imazhit, por u liruan nga instanca e dytë.