Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski theksoi se pas 20 vitesh është koha që BDI të shkojë në opozitë.
Ai këtë e ka theksuar në një intervistë për TV Alsat.
“Ne e kemi deklaruar shumë herë qëndrimin tonë dhe nuk ka ndryshuar, që është se presim ndryshim në përbërjen e qeverisë, pra 20 vjet prania e BDI-së në qeveri është një periudhë shumë e gjatë. Të tjerëve duhet t’u jepet mundësia”, deklaroi Mickoski.
Sipas tij, “grupi i konsoliduar” i politikanëve dhe subjekteve politike që do të kundërshtojnë BDI-në në zgjedhjet e ardhshme do të arrijë një rezultat të mirë.
“Të paktën analizat tona janë të tilla. Mendoj se ata pak në kryesinë e BDI-së pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare do të befasohen papëlqyeshëm nga rezultati dhe vlerësoj se numri i deputetëve të atij blloku të konsoliduar në mesin e shqiptarëve në Maqedoni, së bashku me bashkësitë tjera etnike, mund të përbëjnë një shumicë Badenter në Kuvend”, thotë Mickoski.
Sa i përket zgjedhjeve, Mickoski konsideron se janë tre opsione, dy të parat presidenciale në mars dhe parlamentare në qershor, ose të përbashkët, sipas njoftimeve të Qeverisë, por opsioni i tretë janë zgjedhjet e shpejta tashmë këtë vjeshtë, që është një propozim i yni.