Pas dritës jeshile që Kuvendi i dha informacionit për propozimin francez për ta hapur rrugën eurointeguese të Maqedonisë së Veriut, mes dy konferencave ndërqeveritare Kuvendi duhet të bëjë edhe një gjë, ndryshimin e Kushtetutës duke i futur bullgarët në të. Kjo bëhet me 80 vota deputetësh, të cilat aktualisht shumica parlamentare nuk i ka. Ende mbetet e paqartë se si maxhoranca do ta arrinte këtë, gjersa nga ana tjetër, kreu i VMRO-DPMNE-së siguron se asnjë deputet i partisë së tij nuk do të votojë për ndryshimet kushtetuese. Për këtë madje kanë nënshkruar edhe deklaratë në noter.
“Nismë e deputetëve si garanci me të cilën para qytetarëve obligohemi për këtë premtim tonin, me qëllim bllokim të tradhtisë të kësaj Qeverie, janë deklaratat e deputetëve të noterizuara, se me vetëdije të shëndoshë nuk do të pranojnë ndryshim të kushtetutës, e këtë e garantojnë me nderin e tyre, me vetëdijen dhe dorëheqjen e cila menjëherë hyn në fuqi nëse nuk ndodh kjo. Unë besoj se asnjë deputet nuk do ta miratojë këtë tradhti, e për këtë e keni fjalën time se kjo nuk do të ndodhë, këtu janë ato deklarata”, tha Mickoski.
Aleanca për Shqiptarët ka paralajmëruar mbështetje të ndryshimeve kushtetuese por kanë kërkesë që kur të hapet Kushtetuta, të hiqet edhe definicioni 20% për shqiptarët. Sipas Arben Taravarit, pas miratimit të propozimit francez, nëse pushteti di ta menaxhojë situatën dhe gjen ndonjë kompromis me opozitën, ka hapësirë që të arrihet deri ne ndryshimet kushtetuese gjatë kësaj përbërje parlamentare.
“Unë vazhdoj të mendoj se ndryshimet kushtetuese do të bëhen…
-Në këtë Qeverisje, në këto muaj në vijim?
-Po besoj se po…
-E thoni këtë si mendim tuajin apo keni indice nga kolegët opozitarë të VMRO-DPMNE-së?
-Në qoftë se pushteti aktual nuk e ka vetëm sa për ta thënë se dëshiron të jetë pjesë e BE-së dhe nga ana tjetër vepron për të krijuar nervozizëm dhe tensione në popullatë, unë mendoj se mund ta menaxhojnë, kanë hapësirë, tash do të kalojë me 61, por ka hapësirë me ndryshimet kushtetuese që të menaxhohet, të gjenden mënyrë si të gjendet kompromis më i gjerë për t’i bërë ndryshimet kushtetuese”, tha Taravari.
Ditë më parë, ministri Oliver Spasvski në Click21 tha se nuk sheh asgjë tragjike që në Kushtetutë të shkruhet çdo bashkësi që jeton në shtet, përfshirë bullgarët.
“Ju e dini qëndrimin e bullgarëve se ata deri më tani nuk kanë dashur as të pranojnë se janë pakicë në Maqedoninë e Veriut, kishin një qëndrim tjetër të tyre në lidhje me maqedonasit dhe shtetin. Me futjen në kushtetutë, kjo d.m.th. se dilemat shekullore që ata kanë thënë, janë kategori e mbyllur. Bullgarët këtu do të jenë pakicë”, tha Spasovski.
I pyetur për kërkesën e shqiptarëve për të hequr definicionin “20%”, Spasovski tha se ky është debat që do të hapet kur të bëhen ndryshimet kushtetuese./TV21