Mexhiti: VLEN fitues absolut i zgjedhjeve, AKI do të fillojë të shpartallohet

0
13

Mexhiti: VLEN fitues absolut i zgjedhjeve, AKI do të fillojë të shpartallohet

Njëri nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti dhe kandidat i sapozgjedhur i komunës së Çairit në një intervistë për Alsat-M ka thënë se opozita shqiptare po kërkon arsyetim për humbjen e zgjedhjeve lokale si në Çair dhe komuna tjera.

Duke u përgjigjur në pyetjen nëse ka fituar zgjedhjet me ndihmën e VMRO-DPMNE-së, sipas Mexhitit, ata që kërkuan referendum apo betejë për legjitimitet, “tani kërkojnë arsyetime se dikush tjetër i ka fajet”.

“Por dua të flas me argumente: Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, po përmend Haraçinën ku pothuajse 100 për qind është shqiptare ku është roli i VMRO-së këtu, ta marrim lagjen e Dizhonit ku pjesëmarrja e palës maqedone është shumë e vogël. Mos harrojmë te këshilltarët pala maqedone, VMRO ka fituar një këshilltarë prej 27 këshilltarëve”, tha Mexhiti.

Levica ka kërkuar publikisht përkrahje për kandidatët e BDI-së duke sulmuar VLEN-in

Në pyetjen nëse Ali Ahmeti u mund në koordinim me Mickoskin, Mexhiti madje me përgjigje se kjo nuk mund të jetë mbulesë për humbjen e opozitës.

“Siç ka kërkuar Zaevi, Gruevski siç kanë kërkuar liderë të tjerë që kanë qenë partner të Ali Ahmetit e njëjta ndodhë edhe tash. Kjo nuk mund të jetë mbulesë për humbjen e tyre, sepse edhe ata kanë pasur bashkëpunim diku me LSDM-në, me Levicën. Edhe tash e keni parë Apasievi ka kërkuar publikisht përkrahje për kandidatët e BDI-së, duke sulmuar VLEN”, tha ai.

Lidhur me takimin me Orce Gjoergjievskin nga VMRO-DPMNE si dhe Maksim Dimitrievskin nga ZNAM, Mexhiti tha se kemi marrëveshje parimore aty ku nuk jemi në garë VLEN- VMRO-në ose VLEN- ZNAM.

“Si partner qeverie kemi mbështetje qeveritare dhe e dyta për të udhëhequr Qytetin e Shkupit bashkë që të dilet nga ky kaos me një borxh prej 250 milionë euro, ta pastromë qytetin nga epidemia për sanimin e situatës ku VLEN me disa Ndërmarrje do të ketë hisen e vet edhe këtu. Ndërsa, kur është fjalë te z. Dimitrievski ai është e keqja më e vogël dhe se kundërkandidati i tij është vijë e drejtpërdrejtë e botës serbe”, u shpreh tutje Mexhiti.

Ekologjia do t’i takojë LD-së, nuk ka bisedime për rikonstruim të qeverisë

Sa i takon ndarjes së kulaçit qeveritar, pasi Bekim Sali nga Alternativa ishte paralajmëruar se do marrë postin e zëvendëskryeministrit të parë, Ministria e Ekologjisë sipas Mexhitit pritet t’i takojë LD-së.

“LD do të ketë ministër të Ekologjisë në pushtetin qendror edhe pozicione tjera. VLEN është punë ekipore, mund t’ju them se gjatë fushatës kemi funksionar bashkë pa asnjë ndarje. Më tepër është frymë ekipore dhe e kemi dëshmuar se gjatë fushatës shumë pak janë përmendur partitë e vogla”, tha ai, duke shtuar se nuk ka bisedime serioze për rikonstruim të qeverisë.

Koha që VLEN të bëhet një parti, BDI do ikë nga zgjedhjet e parakohshme si prej dreqit!

Ai shton se pas zgjedhjeve është koha VLEN të bëhet një parti, por se a mund të jetë lider i saj, Mexhiti tha se nuk i ikë përgjegjësisë dhe se kjo varët nga vullneti i shumicës.

E kur është fjala se çka do të ndodhë me AKI-në pas zgjedhjeve, Mexhiti me përgjigje:
“E kam thënë edhe gjatë fushatës se AKI pas zgjedhjeve do të fillojë të shpartallohet, në momentet kur do i shohin rezultatet në mbrëmje do të ikin prej zgjedhjeve të parakohshme si prej dreqit dhe se humbësi më i madh në këto zgjedhje do të jetë Ali Ahmeti dhe BDI dhe që do dalin me 3 komuna rurale”, tha ai, duke shtuar se në Çashkë nuk kanë nxjerr kandidat të tyre por kanë ndihmuar procesin që për herë të parë të zgjidhet një shqiptar.
“Aty ku kemi bërë garën si VLEN dhe AKI ne jemi fitues absolut”, ka thënë mes tjerash Mexhiti.