Mexhiti: Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare

0
8

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pas përfundimit të zgjedhjeve lokale. Në një prononcim për mediat, Mexhiti theksoi se prioritet i vetëm për momentin janë zgjedhjet lokale, ndërsa çdo spekulim për zgjedhje parlamentare të parakohshme e quajti të pabazuar.

Whats-App-Image-2025-10-03-at-22-54-06-f3965d67

“Dikush dëshiron të mashtrojë apo të motivojë elektoratin e vet duke thënë se pas zgjedhjeve lokale do të ketë edhe zgjedhje parlamentare. Por unë mendoj se sapo të shohin rezultatet e zgjedhjeve lokale, këto zëra do të shuajnë. Ne jemi të fokusuar plotësisht në zgjedhjet lokale,” u shpreh Mexhiti.

Ai shtoi se Qeveria aktuale gëzon legjitimitet, ka numrat dhe programin për të vazhduar punën, prandaj nuk sheh arsye për të ndërmarrë zgjedhje të parakohshme që do të sillnin shpenzime të panevojshme.

“Qeveria ka detyra konkrete përpara dhe nuk ka nevojë të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet parlamentare do të mbahen kur janë të parapara me ligj,” theksoi ai.

Këto deklarata vijnë në kohën kur në opinion kanë qarkulluar spekulime për mundësinë e një cikli të ri zgjedhjesh të parakohshme. Megjithatë, Mexhiti thekson se prioritet i tij dhe i koalicionit VLEN mbetet përmbushja e zotimeve ndaj qytetarëve dhe zgjidhja e problemeve konkrete të tyre në nivel lokal.


Whats-App-Image-2025-10-03-at-22-47-36-76a070c5