Mexhiti: E lë qeverinë për Çairin! Era e fitores u ndje sonte në Çair
Zëvendëskryeministri i parë dhe kandidati i VLEN-it për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti sonte në zemër të kësaj komune shpalli të hapur shtabin zgjedhor. Mirëpo, kjo që duhej të ishte vetëm një hapje shtabi, u shndërrua në një miting gjigant, ku një numër i madh i qytetarëve i mbushën rrugët duke dhënë mesazhin e qartë se Çairi tashmë ka zgjedhur fitoren.
Atmosfera festive dhe entuziazmi i të pranishmëve u ndërlidh me fjalimin e Mexhitit i cili theksoi se nuk sheh vetëm hapje të një shtabi zgjedhor, por se ndjen erën e fitores, sepse pikërisht nga Çairi do të fillojë festa e VLEN-it.
….
Mexhiti: VLEN po zgjerohet, fitoret e VLEN-it janë fitore të shqiptarëve
“Unë sonte nuk shoh hapje shtabi, këtu vjen era fitore, këtu fillon fitorja e VLEN-it. Jo më larg se sot VLEN po zgjerohet, fitoret e VLEN-it janë fitore të shqiptarëve, nuk janë vetëm fitore për VLEN-in, prandaj sot VLEN-it iu bashkëngjit Lëvizja Arbëria me Bekim Fazliun, e Orhan Ibrahimin, i përshëndes që janë sonte këtu dhe i bashkohen fitores së shqiptarëve. Në të njëjtën ditë, nga ata që i ndërrojnë emrat përditë, po largohet Arjanit Hoxha, po largohet edhe partia boshnjake, dua të përshëndes Rafet Muminoviqin, komunitetin boshnjak, komunitetin turk, komunitetet tjera që janë të Çairit, sepse ne duam mandat dhe duam të punojmë për qytetarin tonë pa marrë parasysh se kujt i përket. Andaj dallimi është se unë e lë qeverinë për Çairin, kurse Bujari dëshiron të keqpërdor Çairin për të ardhur në qeveri dhe për t’i shpëtuar veprave penale që e presin. Bujari nuk është i zgjedhuri i Çairit, është i Soravisë dhe unë e pash një deklaratë qesharake të tij, tha unë nuk flas me ata sepse janë vasal! Kush është vasal këtu, ju që keni bërë qeverisjen më të keqe dhe pak ju duket qeverisja Gruevski-Ahmeti dhe në fund kur iki ju e ndihmuat që të arratiset në Budapest, më pas shkoni në pozicionin e ministrit të Jashtëm për ta takuar, për ta ndihmuar, për ta rikthyer në skenën politike shqiptare. Por kësaj politike shqiptare ka bij e bija që i dalin Zot, dhe nuk lejojnë matrapazë të tillë që i kanë duar e përlyera me gjakun shqiptar,” është shprehur Mexhiti. Kandidati i VLEN-it para të pranishmëve qartësoi se beteja në Çair nuk është vetëm një betejë zgjedhore, por edhe morale. Ai vazhdoi duke rikujtuar se populli tashmë ka nisur të flasë me vepra, jo me fjalë boshe.
…
Mexhiti: Ata që promovuan valixhet, u paketuan vetë!
“Bashkë me atë që iku, ju që këtu promovuat valixhe me të cilat do të na përcillni, u përcollët vet, u paketuat vet edhe sot ne nuk kërkojmë valixhe, nuk themi se do ju largojmë, ne themi se fitorja jonë është fitore për të gjithë shqiptarët, më mirë do ta keni edhe ju sepse ne do të përkushtohemi për Çairin dhe jo Soravinë”, ka deklaruar kandidati i VLEN-it për Çairin, Izet Mexhiti. Mexhiti përpara qytetarëve shpalosi edhe vizionin e tij konkret për komunën, duke premtuar zgjidhje të përhershme për problemet jetike të Çairit.
“Ne duam rrugë më të mira, duam që në këtë mandat ta mbyllim njëherë e përgjithmonë çështjen e infrastrukturës nëntokësore në Çair, ju garantoj se në mandatin tjetër nuk do të flitet më për ujësjellës dhe kanalizim e rrjet atmosferik në Çair, ju garantoj se nuk do të flitet më për asfaltime. Ne kërkojmë mandat që fëmijët tonë dhe tuajit të mësojnë sikur tek çerdhja Bambi, edhe dy tjera i kemi kaluar në Qeveri në ndërkohë, një te restorant FaFa dhe një tjetër tek Ismail Qemali në Fushë Topanë”, ka thënë para të pranishmëve Mexhiti.