Mendi Qyra: Kujdesi për shëndetin e qytetarëve duhet të jetë përparësi e çdo kryetari komune

0
14

Mendi Qyra: Kujdesi për shëndetin e qytetarëve duhet të jetë përparësi e çdo kryetari komune

Kandidati i pavarur për Komunën e Strugës, Mendi Qyra, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Azir Aliu, vizituan Spitalin Nefrologjik, Shtëpinë e Shëndetit dhe Spitalin e Përgjithshëm në Strugë. Gjatë vizitës, ata panë nga afër kushtet aktuale të shërbimit shëndetësor dhe dëgjuan nga afër nevojat dhe kërkesat e personelit mjekësor.

Mendi Qyra theksoi se, edhe pse pushteti lokal nuk ka kompetenca të drejtpërdrejta në fushën e shëndetësisë, është detyrë e kryetarit të komunës që të kërkojë, bashkëpunojë dhe aplikojë për projekte që ndikojnë në përmirësimin e kushteve të spitaleve dhe qendrave shëndetësore.

“Struga ka nevojë për një sistem shëndetësor funksional dhe modern. Infrastruktura duhet rinovuar, aparaturat duhet përditësuar, por mbi të gjitha duhet investuar tek njerëzit, tek profesionistët që çdo ditë mbajnë gjallë shërbimin shëndetësor në qytetin tonë,” u shpreh Qyra.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, nga ana e tij theksoi se përmirësimi i infrastrukturës dhe forcimi i kapaciteteve njerëzore në institucionet shëndetësore të Strugës është domosdoshmëri, dhe se çdo hap në këtë drejtim duhet të realizohet në bashkëpunim të ngushtë me pushtetin lokal.

Mendi Qyra nënvizoi se Struga meriton institucione shëndetësore me standarde moderne dhe se një qeverisje lokale e përgjegjshme mund të bëjë shumë më tepër për ta bërë këtë realitet.

“Kujdesi për shëndetin e qytetarëve është baza e një shoqërie të shëndetshme – dhe kjo është një nga prioritetet e mia kryesore si kryetar i ardhshëm i Strugës,” përfundoi Qyra.