Prof. Dr. Nebi Dervishi
ME RASTIN E 14 VJETORIT TË VDEKJES
PËRKUJTESË KUSHTUAR MIKUT DR. LUTFI TURKESHI (1947-2006)
Për madhështinë e mikut të humbur, Dr. Lutfi Turkeshit, gazetarit, atdhetarit dhe publicistit dibranë – që sot 14 vjet nuk është në mesin tonë.
Më 8 maj 2020, mbushen plotë 14 vjet që kur u nda nga familja, miqtë, kolegët e shokët, duke i lënë ato me dhimbje e trishtim të thellë dhe të shfletojnë kujtime më të mira për gazetarit atdhetare dhe publicistit dibran Dr. Lutfi Turkeshi.
Dhe vetëm 14 vjet janë të mjaftueshme për ta ndjerë mungesën e madhe të tij në publicistikën shqiptare këtu në trevat lindore, shqiptare. Koha rrugëton shkallëve të saj duke lënë gjurmët e veta, rrugëve të jetës, me ngjyrën e gjakut, gjamës dhe mallkimeve njerëzore, brenda gjinisë së vet, me gaz vetëm gjatë ritës fëmijërore, të cilës ndryshe i thonë histori. Njëri që ka lënë gjurmë të pastra në ato pak faqe, të historisë sonë të shkruar e të pashkruar gjatë viteve ‚80 – ‚90 të shek. XX dhe në vitet e para të shek. XXI, në fushën e publicistikës shqiptare këtu në Maqedoni, ishte dhe do të mbetet miku i ynë shumë i shtrenjtë, gazetari i aposionuar, i pavdekshmi, i përjetshmi, i shtrenjti, i dashuri dhe i vlefshmi Dr. Lutfi Turkeshi, ikona e gazetarisë dhe publicistikës shqiptare në këto anë.
Kush e ka njohur të ri publicistin Dr. Lutfi Turkeshin, gjithmonë ka parë tek ai vetëm energji. Një energji që i buronte nga e gjithë qenia e tij. Hokatar dhe i papërtuar nga puna.
Po kush ishte Dr. Lutfiu, nga ç’familje rridhte, ku kishte studjuar ai, i cili me punë vetëmohuese e përkushtim, për një kohë relativisht të shkurtër do të shndërrohet në ikonë të gazetarisë dhe publicistikës shqiptare këtu në trevat lindore?
Dr. Lutfi Turkeshi u lind në Dibër të Madhe, në vitin 1947, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme. Fakultetin e shkencave politike – Dega e gazetarisë, e kreu në Zagreb; Studimet pasuniversitare i filloi në Zagreb, ndërsa i kreu në Tiranë duke fituar titullin Doktor i historiografisë së gazetarisë.
Që në moshën e re u shqua për talentin e tij gazetaresk. Për shumë vite e deri në frymën e fundit punoi në cilësinë e gazetarit dhe redaktor i Radio Shkupit – emisioni në gjuhën shqipe, ku u shqua për zellshmëri dhe disiplinë në punë, për mprehtësinë e tij shprehëse, për punën organizative e kreative dhe për emisionet e tij tanimë të njohura dhe të dëgjuara me ëndje nga dëgjuesit e radios.
Përveç gazetarisë në Radio Shkup, Dr. Lutfiu u mor edhe me publicistikë dhe punimet e tij u botuan në shumë të përditshme dhe revista në gjuhën shqipe. Viteve të fundit të jetës së tij, pati një punë intensive prej autorit dhe botoi disa tituj librash, siç janë: „Pena për çështjen kombëtare“ – që përfshin veprimtarinë e shtypit shqiptar në trojet e Maqedonisë së sotme gjatë viteve 1908-1912; Libri „ Historia e shtypit shqiptar“ – ku trajton periudhën e viteve 1908-1912 me analizën e gjinive të ndryshme gazetareske; Librin „Fjala në fjalë- metaforë“ – që është përmbledhje kritikash dhe vrojtimesh letrare; Libri „Dibra nëpër shekuj“ I, që përfshin trajtesa lidhur me 95 vjetorin e Kongresit të Dibrës (Korrik 1909) dhe ngjarjet rreth tij, si dhe Librin „Në rrjedhë…“ me artikuj dhe shkrime origjinale të lëmive të ndryshme dhe të figurave të shquara të historisë dhe të kulturës shqiptare. Vdekja e parakohshme ( në moshën 59 vjeçare) dhe e papritur, i la në dorëshkrime edhe disa vepra e projekte të tjera.
Vitet e fundit të jetës, Dr. Lutfi Turkeshi u zgjodh në krye të klubit letrar „Art Klub“, në Dibër, ku organizoi dhe nxiti botimin e shumë librave të krijuesve anëtar të këtij klubi letrar. Ai konsistoi manifestimin poetik mbarëshqiptar „Portiku letrar“ në Dibër, manifestimi që për nga suksesi mori famë organizative dhe promovuese mbarëkombëtare, dhe bëri që Dibra të jetë arenë e fjalës së fuqishme poetike, ku merrnin pjesë poetë nga të gjitha trojet shqiptare, e cila … „Nga viti 2009, Ditët e kulturës në Dibër dhe Art Klubi“ do të quhet „Portiku poetik „Dr. Lutfi Turkeshi“. Si rezultat i punës së tij të suksesshme shumëvjeçare.
Dr. Lutfi Turkeshi është edhe fitues çmimit prestigjioz për publicistikë në Maqedoni “Haxhi Vasilev Jasmin”. Ishte punëtor, nga të rrallët në këto kohë të “rralluara”. Ishte njeri me plot kuptimin e fjalës, gazetarë, atdhetarë, publicist dhe mik e koleg dashur nga të gjithë ne.
Ishte prind, vëlla mikë e shumëçka dhe unë e kisha shok, bashkëpunëtor… dhe jo vetëm unë. S’e besoj ta ketë parë të hidhëruar ose të mërrolur ndokush. Dibranët, jo e jo, sepse ai të pushtonte me buzëqeshje, me një elokuencë komunikimi, me një blic barsoletë dhe me një mjeshtri mobilizimi në çdo ndeje e në çdo takim.
Ishte nga ato bredhës që vazhdimisht kërkojnë shegun e duhur dhe nuk e fillonte ditën e sotme aty ku e kishte përfunduar të djeshmen, ashtu siç edhe perëndimi i diellit nuk na ngjan aty ku na ka lënë lindja e tij.
Të shkurtra ishin 16 vitet mes nesh (nga 1990), e edhe më të shkurtra fjalët. Por, nëse zëri i tij është dukur nga veshët e kolegëve dhe dëgjuesve të Radio Shkupit, këto katërmëdhjetë vjet, dhe nëse dashuria e tij humbet në kujtesë, ai përsëri kthehet…
Dhe është e vërtetë kjo që them. Kjo e vërtetë më shfaqet në zë më të çiltër, dhe në fjalë të ngjashme në kujtesën time, por besoj edhe në kujtesën e miqve të tjerë.
Nevojat e njeriut ndërrojnë, por jo dashuria e tij, e as përmallimi se dashuria e tij do t’i plotësojë kërkesat e veta.
Dr. Luti ishte një vesë mëngjesi që jepte jetë. Ai ishte si lum që rrjedh dhe nuk e pi ujin e vet, ashtu si edhe pema që bënë fryte e nuk i ha vetë. Ai jetoi për të tjerët dhe frytet e punës së tij, sot bëjnë fryte të reja, jo vetëm në Dibër, por edhe më gjerë.
Edhe pas katërmëdhjetë viteve, publicist, miku dhe gazetari Dr. Lutfi Turkeshi, megjithëse nuk është në mesin tonë, ishte e do të mbetet, simbol i punës, i vetëmohimit, sakrificës, simbol i ndërgjegjes së pastër, i vetëdijes së kulluar si dhe i moralit dhe i etikë së shëndoshë.
Ishte dhe do të mbetet një emër i papërsëritshëm në gazetarinë shqiptare edhe për shumë vite, një emër që duhet punë e madhe për ta merituar, një emër që duhet shkruar në analet e veprimtarëve të kombit shqiptar këtu në Maqedoni e më gjerë.
Gjithmonë do të mbetesh në zemrat tona mik i nderuar përjetësisht.
Strugë, 8 maj 2020