Facebooku informoi sot se ka mbyllur profile të rrejshme nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Irani dhe Rusia. Në një njoftim të fundit nga rrjeti social, është bërë e ditur se janë mbyllur 2632 faqe, grupe dhe llogari që kishin pasur “sjellje të koordinuara joautentike” në Facebook dhe Instagram.
Sa i përket njoftimit për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Facebook ka njoftuar se janë mbyllur 212 faqe, grupe dhe llogari.
“Individët prapa këtij aktiviteti kanë operuar me llogari të rreme për të administruar faqe me përmbajtje të përgjithshme, përmbajtje lidhur me astrologjinë, yjet dhe këshilla për bukurinë. Ata po ashtu udhëhoqën një numër të vogël të faqeve që pretendonin të përfaqësonin komunitete politike në Australi, Britani të Madhe e SHBA dhe postuan për fenë e tema politike si nacionalizmi, islami e figurat politike”, thuhet në sqarimin për llogaritë e mbyllura në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Së fundmi, Facebook ka mbyllur shumë llogari në shumë vende pas kritikave se po lejon rritjen e propagandave dhe përmbajtjeve ekstremiste. /SHENJA/