Drejtuesi i Shoqatës Humanitare “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati, ka bërë të ditur, se sëshpejti do të dhurojë edhe 128 shtëpi të reja për njerëzit në nevojë, që kanë kushte të rënda socio-ekonomike.
Këtë e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Ai ka thënë se çelësat për 128 shtëpi do të dhurohen brenda këtij muaji.
“Ftesë e hapur për të gjithë! Event shumë i madh gëzimi. Do të dhurohen 128 shtëpi të reja. Shqiptarët të bashkuar këtë nëntor i bëjnë 128 familje të gëzuara dhe këtë event të pa harruar”, ka thënë Kastrati.
Pra, në 10 vjetorin e Shoqatës Humanitare “Jetimat e Ballkanit”, do të dhurohen edhe 100 shtëpi, e po ashtu për nderë të festës se Flamurit do të dhurohen 28 shtëpi.
Me datën 28 nëntor ora 13:00 ne sallën sportive Sezai Surroi në Prizren në prani të shumë personaliteteve të artit, kulturës, sportit, politikës, personelit të shumë ambasadave në Kosovë bëhet dhurimi i 128 palë çelësave të shtëpive të reja për familje nevojtare”, ka treguar Kastrati.
Ai ka thënë se, familjet që do t’i dhurohen çelësat janë thuajse nga të gjitha komunat e Kosovës, të zonës Kukësit e Tropojës si dhe nga Shkupi, njofton Telegrafi.