Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Ohër informon publikun se, ditët e fundit, sektori për krime kompjuterike ka regjistruar një rritje të numrit të raportimeve nga qytetarët për mashtrime të kryera përmes rrjeteve sociale dhe thirrjeve telefonike nga persona që paraqiten si “këshilltarë financiarë”, njofton zëdhënësi i SPB Ohër, Stefan Dimoski.
Sipas njoftimit, mashtruesit shpesh ofrojnë shërbime për tregtimin e kriptovalutave dhe premtojnë fitime të larta dhe të shpejta.
“Mashtruesit komunikojnë me viktimat duke përdorur numra që zakonisht duken si lokale, por edhe numra me prefix të huaj, me qëllim që të fitojnë besimin e tyre. Gjatë bisedës, i bindin viktimat të instalojnë softuer për qasje të largët (AnyDesk, SupremoMobile dhe aplikacione të tjera), duke pretenduar se u nevojitet për t’i ndihmuar në vendosjen e platformës së tregtimit dhe krijimin e profileve të tyre. Ata sugjerojnë se mund të ndihmojnë në procedurën për marrjen e kredive të shpejta nga shoqëritë financiare lokale (më së shpeshti përdoret shoqëria financiare IuteCredit, për shkak se kanë ‘bankomat’ të tyre nga ku viktima tërheq mjetet financiare)”, informon Dimoski.
Pasi të kenë marrë qasje të largët në kompjuterin ose pajisjen mobile të viktimës, mashtruesit hyjnë në bankën elektronike të viktimës dhe transferojnë mjetet financiare, ndërsa qytetarët e kontaktuar mbeten pa mjete para se të kuptojnë se janë mashtruar, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, informon Dimoski.
“Apelojmë që qytetarët të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm gjatë komunikimit me persona të panjohur dhe me numra të huaj që paraqiten rrejshëm dhe ofrojnë këshilla financiare përmes internetit. Përveç kësaj, ata u thonë të dëmtuarve se kanë një shumë të madhe për të tërhequr si trashëgimi dhe të ngjashme.