Mbi 100 mjekë dhe infermierë duan të largohen nga vendi dhe të angazhohen nëpër spitalet e Gjermanisë.
Ata shprehen të pakënaqur si nga kushtet, nga paga por edhe nga respekti i cili nuk ekziston më ndaj mantelit të bardhë.
Fatlum Memeti nga Kumanova, është infermier i diplomuar tanimë tre vite, por pavarësisht mungesës së madhe të këtij kuadri nëpër spitalet e vendit, ai s’po gjen punë askund. Memeti shprehet i prerë se dëshiron angazhimin e tij si infermier, ta ushtrojë jashtë kufijve të Maqedonisë.
“Jam i interesuar që të shkojë në Gjermani, kam kryer shkollën e infermierisë. Kam konkurruar në shumë vende por s’ka pas. Tre vite kam që kam diplomuar. Për kushte më të mira po shkoj. Në Gjermani është jeta më e mirë, kushtet janë më të mira. Këtu nuk kemi kushte, rroga është e dobët për atë kemi vendosur të shkojmë”– deklaroi Fatlum Memishi, Mjek i Diplomuar.
Qendra gjermane “Opportunity” e cila mundëson trajnimin e mjekëve tanë të cilët duan të punojnë në Klinikat Gjermane, sot qëndroi në Shkup për të njoftuar mjekët e interesuar me kushtet që kërkohen për punësim në Gjermani. Në mesin e të interesuarve ishin edhe mjek me përvojë dhjetëra vjeçare, e që kishin ndarë mendjen se më nuk duan të jenë pjesë e sistemit tonë shëndetësor. Përfaqësuesit e kësaj qendre si dhe punëdhësit thonë se interesimi i mjekëve vendor është i lartë.
“Kandidatët kanë qenë shumë serioz, dhe ne po ashtu. Siç e shikoj salla është mbushur dhe do na duhen karrige shtesë, interesimi është i lartë. Ne do japim maksimumin të ju japim mundësi njerëzve që vërtetë duan të shkojnë të gjejnë një të ardhme më të mirë. Nuk është me numër të caktuar, ne jemi të hapur për të gjithë mjaftojnë të plotësojnë kriteret dhe kushtet. Mësimi i gjuhës është kusht kryesor dhe ne si qendër kursesh do të japim kontribut maksimal” – u shpreh Mimoza Huta, Drejtoreshë ekzekutive e “Opportunity Macedonia”.
Kuadri mjekësor i Gjermanisë është ndryshuar ndër vite, dhe për këtë arsye shteti Gjerman lëvron shuma të mëdha. Gati një miliard euro janë në qarkullim të cilat janë në dispozicion për t’u vënë për mjekësinë, për këtë shkak ata shikojnë të gjithë zonën e Ballkanit përfshirë edhe Maqedoninë. Kemi nevojë të madhe për infermiere, sepse oraret e tyre janë të ndara për sektore të caktuara theksoi Rudolf Sagner, Ceo Jobengentur Europe.
Nga viti në vit sa vjen e rritet numri i mjekëve dhe infermierëve të cilët lëshojnë vendin. Nga ana tjetër shumë mjekë të diplomuar nuk gjejnë punë krahas nevojës së madhe. Të dhënat e fundit të Odës së Mjekëve kanë treguar se nga 220 studentë të mjekësisë të cilët diplomojnë, 173 prej tyre kërkojnë të punojnë në shtete e Bashkimit Evropian. Pavarësisht këtij alarmi, sistemi shëndetësor assesi të zbatojë reforma thelbësore.