Maqedonia nuk ka qenë asnjëherë më afër Bashkimit Evropian, pasi tani ka një datë të saktë se kur do të nisin bisedimet për anëtarësim, ka thënë ambasadorja e Austrisë në Shkup, Renate Kobler, teksa ka prezantuar para një komisioni parlamentar prioritetet që do jenë gjatë kryesimit të presidencës së BE-së nga Austria, gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.
“Asnjëherë nuk keni qenë më afër Bashkimit Evropian. Megjithatë, e dimë se vendin tuaj e presin shumë punë. Mbeteni të sigurt se perspektiva e qartë evropiane për rajonin dhe Ballkanin Perëndimor dhe rrugëtimi i qartë i vendit tuaj mbetet prioritet për kryesimin evropian”, u shpreh ambasadorja Kobler.
Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani, i cili drejton resorin e integrimeve, u shpreh se kryesimini i presidencës së BE-së nga Austria, paraqet periudhën më të rëndësishme, që përbën kthesat historike për Maqedoninë, sa i përket procesit të integrimeve.
Osmani, njëherësh njoftoi se më 17 korrik në Shkup do të qëndrojë Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, dhe vetëm atëherë formalisht do të nisë vlerësimi që është parakusht për hapjen e bisedimeve. Osmani theksoi po ashtu se Qeveria e Maqedonisë mbetet e angazhuar në realizimin e reformave, në luftën kundër korrupsionit, reformat në lëmit kyçe, siç është sistemi gjyqësor, administrata dhe policia sekrete, që janë pjesë planit qeveritar 3-6-9 dhe së fundmi planit 18.
Ndërkaq, deputeti nga radhët e socialdemokratëve, Tomisllav Tuntev tha se caktimi i datës së kushtëzuar për fillimin e negociatave të anëtarsimit të vendit në BE, ka inkurajuar Maqedoninë që të realizojë reformat dhe detyrimet e përcaktuara nga Brukseli zyrtar.
“Ne si shtet, Parlament, unë si koordinator i grupit që ka të mbledhur numrin më të madh të deputetëve, ju siguroj se sa i përket realizimit të reformave, do të punojmë me kapacitet të plotë, sepse këtë e kërkon Brukseli zyrtar nga ne si kusht për t’u bërë pjesë e barabartë e familjes evropiane. Por, jemi të vetëdijshëm se këto reforma kontribuojnë për prosperitetin e Republikës së Maqedonisë dhe janë në interes të të gjithë qytetarëve të saj”, tha Tuntev duke porositur opozitën, se vetëm bashkërisht mund të realizohen obligimet që kanë përcaktuar faktorët ndërkombëtarë.
Në këtë mbledhje të komisionit, nuk kanë marrë pjesë deputetët e partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE.
Ekspertët në Maqedoni vlerësojnë se realizimi i reformave të kërkuara do të jetë i vështirë, nëse partitë në pushtet dhe ato në opozitë nuk arrijnë një marrëveshje për t’i kaluar ato.
Ndryshe, motoja e kryesimit të presidencës së BE-së nga Austria është “Evropa e cila mbron”. Siç ka theksuar ambasadorja Kobler, kjo do të ndërtohet mbi tri shtylla kyçe me prioritetet: siguria dhe lufta kundër migrimit ilegal, siguria dhe konkurrenca në fokus të digjitalizimit si dhe perspektiva evropian për Ballkanin Perëndimor. /rel/