Përgatitjet për regjistrimin e popullsisë në Maqedoni kanë rinisur mes vorbullës së hetimeve për abuzimin me regjistrimin e popullsisë në vitin 2011.
Kreu i ri i Zyrës Shtetërore të Statistikave, Apostol Simovski thotë në një intervistë për BIRN se është i vendosur që të mos përsëriten gabimet e së shkuarës, duke iu referuar këtu regjistrimit të shtatë viteve më parë.
Për shqiptarët regjistrimi ishte një farsë dhe i politizuar që synonte të mos tregonte numrin e vërtetë të popullsisë etnike shqiptare në Maqedoni. Por, veç kësaj, prokuroria maqedonase është duke hetuar edhe mundësinë e abuzimit me fondet prej miliona eurosh të dhëna për këtë regjistrim.
Simovski ka qenë pjesë e Zyrës së Statistikave prej 27 vitesh, por thotë se roli i departamentit të drejtuar prej tij në regjistrimin e 2011 ishte dytësor.
Ai thotë se shpreson që Prokuroria t’i shkojë deri në fund hetimeve për këtë regjistrim të popullsisë dhe të heqë njollën e turpit që shoqëron institucionin që tashmë drejton prej vitesh.
Ndërkohë, kur ndalet tek regjistrimi i 2020, Simovski paralajmëron se rezultati që do të dalë prej tij me siguri nuk ka për t’u pëlqyer maqedonasve/TCH