Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nuk e përjashton fillimin e një lufteje të madhe në Evropë, shkruajnë mediat botërore.
“Forcat tona janë e vetmja ushtri me të drejta të plota në kontinentin evropian. Ne duhet të përgatitemi për një konflikt të mundshëm të armatosur me intensitet të lartë dhe të rrisim investimet në ushtri”, tha ai, në një periudhë fushate kur po rikandidon për president.
Macron tha se konflikti midis Ukrainës dhe Rusisë do të çonte në një krizë ushqimore në 12 deri në 18 muajt e ardhshëm dhe do të ndihej në Afrikë e në Lindjen e Mesme.
Macron premtoi të forcojë sovranitetin e Francës nëse fiton mandatin e dytë presidencial në zgjedhjet e muajit të ardhshëm, në mënyrë që ta çojë vendin, siç tha ai, në një epokë të re krize. Avantazhi i Macron ndaj rivalëve të tij në prag të zgjedhjeve u rrit pas operacionit rus në Ukrainë. Sondazhet e opinionit të publikuar javët e fundit, sipas mediave franceze, tregojnë se Macron duhet të fitojë rreth 30.5 për qind të votave në raundin e parë, që është 10 për qind më shumë se sa treguan sondazhet e muajit të kaluar.