Duke parë se Lëvizja Besa është shëndrruar tashmë në një strukturë që funksionon mbi baza familjare, klanore dhe rajonale, ku nuk respektohet asnjë organ partiak dhe veçmas duke parë që drejtuesit e Lëvizjes Besa nuk duan ta dëgjojnë rininë dhe Forumin Rinor të partisë, pas 8 (tetë) muajsh përpjekje për të ndryshuar në kuptim të mirë, prej sot unë – Liridon Useini – jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozicionet e Lëvizjes Besa: nga pozita e drejtuesit të Forumit Rinor të Lëvizjes Besa, nga pozita e anëtarit të Kryesisë Qendrore të Besës dhe nga çdo organ apo komision i kësaj partie.
Shumëkujt mund t’i duket e palogjikshme që të heqësh dorë nga një parti e cila është në pushtet, por këtu dua të kujtoj se unë isha vendosur para dilemës – ta ruaj dinjitetin apo ta pranoj padrejtësinë dhe t’i mbyllë sytë. E meqë kryetari i Lëvizjes Besa nuk ka dashur t’i dëgjojë vërejtjet e të rinjëve të artikuluara përmes meje dhe, madje, as që ka pranuar të takohet, ndërsa unë nuk mund t’i mashtroj anëtarët e Forumit Rinor të Lëvizjes Besa kur ata e shohin edhe vetë se, përveç rrethit të tyre të ngushtë, asnjë i ri nuk është respektuar për asnjë meritë, këtu ka përfunduar marrëdhënia ime me Lëvizjen Besa. Një parti që u ngrit me idealin e shqiptarisë së re në RMV dhe tash ka përfunduar në filiale të LSDM-së dhe zëdhënëse të BDI-së nuk është më atdheu im politik.
Me këtë rast e njoftoj opinionin, veçanërisht qytetarët e Komunës së Zhelinës se më nuk do të përfaqësoj Lëvizjen Besa në Këshillin Komunal dhe se punën time në Komunë do ta vazhdoj si i pavarur.
Përveç shijes së keqe që ma ka lënë angazhimi i deritanishëm politik me këta njerëz të gabuar, e njoftoj opinionin se Lëvizja Besa praktikisht nuk ekziston më. Ajo është një firmë të cilën e mjelin ata që kanë mbetur aty dhe jeta e saj politike do të zgjas deri në zgjedhjet e ardhshme.
Po ashtu, me këtë rast dua të njoftoj se duke parë gjendjen e përgjithshme të popullit tonë, diskriminimin në çdo fushë të jetës, varfërinë, shpërnguljen dhe degradimin arsimor, ekonomik dhe social, unë do të vazhdoj të mbetem aktiv në jetën publike, ndërsa për mënyrën dhe natyrën e këtij angazhimi do t’ju njoftoj me kohë.Liridon Useini