Saturday, August 9, 2025
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeOpinionLindim Etemi: Pse e latë Qafethanën pas dore? A nuk ju vjen...

Lindim Etemi: Pse e latë Qafethanën pas dore? A nuk ju vjen turp, a nuk ju vjen keq për mërgimtarët, shoferët që presin disa orë në temperatura të larta?

Lindim Etemi (Struga Ekspres)

Qafë Thanë, një ndër pikat më të rëndësishme kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, prej kohësh është kthyer në simbol të pritjes së gjatë dhe nervave të tendosura, sidomos gjatë sezonit të verës kur vijnë dhe kthehen emigrantët. Pamjet e radhëve të gjata, veturat me fëmijë dhe të moshuar që presin me orë të tëra në vapë, janë bërë të zakonshme. Pyetja që lind natyrshëm ësht, pse vazhdon kjo situatë dhe pse nuk gjendet një zgjidhje?

Në vend që të merren masa shtesë për përballimin e fluksit të madh, autoritetet në të dy anët duket se nuk planifikojnë mjaftueshëm. Kur dihet që korriku dhe gushti janë muajt e ardhjes dhe kthimit të emigrantëve, është pakuptueshme pse nuk hapen më shumë sportele, pse nuk shtohet personeli dhe pse nuk vendosen sisteme të përbashkëta kontrolli që të mos ketë dy ndalesa për të njëjtin udhëtar.

Në shumë vende të BE-së, kalimet kufitare bëhen përmes sistemesh të automatizuara, kontrolli paraprak online dhe përdorimi i kamerave për leximin e targave. Në Qafë Thanë, ndërkohë, gjithçka duket sikur është në vitet ‘90: kontrolli manual, dokumente të skanuara ngadalë, dhe asnjë sistem i integruar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.

MMërgimtarët, ata që kontribuojnë në ekonomi përmes remitancave dhe investimeve, trajtohen shpesh si “një hall i përkohshëm”. Në vend që të mirëpriten dhe t’u lehtësohet ardhja dhe kthimi në vendlindje, ata shpesh përballen me rraskapitje dhe indiferencë. Kjo është jo vetëm e padrejtë, por edhe dëmton marrëdhënien mes diasporës dhe institucioneve shqiptare dhe ato maqedonase.

Qytetarët janë të lodhur. Ata presin me fëmijë të vegjël në makina për më shumë se një orë, shpesh edhe dy, nën diellin përvëlues të gushtit. Nuk ka ujë, nuk ka tualete funksionale, nuk ka informim, nuk ka asnjë ndjeshmëri. Në rrjete sociale dhe në media, qytetarët shprehen me mllef:

“Është turp! Një kalim kufitar në mes të Europës dhe kjo situatë?! Ne po trajtohemi si kafshë.”

“Kemi ardhur nga Zvicra, kemi bërë 20 orë rrugë, dhe po presim 2 orë në kufi. As ujë s’ka! A ka ndonjë që mban përgjegjësi për këtë?”

“Vijnë mërgimtarët, sjellin para, investojnë, dhe në fund trajtohen si barrë.”

Këto janë thirrje që vijnë nga realiteti, jo nga ndonjë opozitë politike apo interes i fshehur. Janë zëra të njerëzve të zakonshëm që kërkojnë vetëm dinjitet dhe respekt.

Zgjidhje ka, por kërkon vullnet politik dhe bashkëpunim konkret:

Të shtohet personeli dhe sportelet në periudha me fluks.

Të krijohen sisteme të përbashkëta kontrolli me Maqedoninë e Veriut.

Të përmirësohet teknologjia në pika kufitare.

Të ketë linja të veçanta për familjet me fëmijë ose për ata që kalojnë shpesh kufirin.

Të sigurohet kushte minimale humane në zonën e pritjes: ujë, tualete, ndihmë të parë, informim.

Udhëtarët nuk janë fajtorë që duan të vijnë në atdhe. Faji është te ata që nuk i marrin seriozisht pasojat e mosveprimit. Pritja në kufi është pasqyrë e qeverisjes, dhe për shumë shqiptarë, ajo pasqyrë jep një pamje zhgënjyese.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk ndërtohet me slogane dhe fjalë të bukura, por me vepra konkrete,dhe gjithçka fillon që në kufi.
Lindim Etemi (Struga Ekspres)

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments