Saturday, August 23, 2025
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeQytetiLindim Etemi: Letër e hapur drejtuar kryeministrit dhe ministres së arsimit të...

Lindim Etemi: Letër e hapur drejtuar kryeministrit dhe ministres së arsimit të RMV-së

Lindim Etemi/ Struga Ekspres

I nderuar z. Kryeministër Hristijan Mickoski, E nderuar znj.Ministre e Arsimit,Vesna Janevska

Me respektin më të madh dhe me dashurinë e thellë për vendin tonë dhe brezat që po rriten, ju drejtohem sot me një lutje të sinqertë, një thirrje që vjen nga zemra e një prindi, qytetari dhe gazetari që e ndjen përgjegjësinë për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Viti i ri shkollor 2025-2026 është pranë. Nxënësit do të kthehen në bankat shkollore, të mbushur me ëndrra, shpresa dhe pritshmëri. Dhe pikërisht në ato ditë të para, kur mendjet e tyre janë më të hapura, më të etura për dije dhe udhëzim, ju lutem, shfrytëzojini ato dy javë të para për t’u dhënë atyre mësimin më të rëndësishëm të jetës.

Mësojini fëmijët tanë të duan dhe të respektojnë njëri-tjetrin, t’u thonë JO dhunës, JO bullizmit, JO drogës, JO pirjes së duhanit dhe çdo ves tjetër që ua errëson të ardhmen.

Mësojini se sa i çmuar është libri, fjala e shkruar, dija përballë ekranit që ua gllabëron orët, ditët, rininë. Ndihmojini të kuptojnë se dijet dhe vlerat njerëzore janë më të rëndësishme se çdo trend kalimtar në rrjete sociale. Mësojini të jenë të mirë, të ndjeshëm, të guximshëm dhe të përgjegjshëm.

Sepse nëse këta fëmijë nuk i edukojmë sot me dashuri, ata nesër mund të humbin në rrugë të errëta. Dhe bashkë me ta, do të humbasë edhe shpresa për një shoqëri më të drejtë, më të sigurt dhe më të ndritshme.

Z. Kryeministër, znj. Ministre,
Ju keni mundësinë dhe fuqinë për ta kthyer arsimin në një dritë të vërtetë. Jo vetëm për të mësuar shkronjat dhe numrat, por për të mësuar si të jetojnë mirë, ndershëm dhe me dashuri.

Ju lutem, bëjeni këtë për fëmijët tanë. Për Maqedoninë e Veriut. Për të ardhmen tonë të përbashkët.
Fëmijët janë pasqyra e shoqërisë. Ndriçojeni rrugën e tyre dhe do të ndriçoni rrugën e të gjithëve ne.

Do të mbeteni pjesë e historisë nëse jepni urdhra nëpër shkollat e Maqedonisë.

Me respekt dhe shpresë të madhe,

Gazetari,
Lindim Etemi
(Struga Ekspres)

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments