Friday, August 1, 2025
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeQytetiLindim Etemi: Ja kush e "vrau" Strugën dhe i mbron bandat dhe...

Lindim Etemi: Ja kush e “vrau” Strugën dhe i mbron bandat dhe të “fortët”!

Lindim Etemi (Struga Ekspres)

Ja kush e “vrau” Strugën dhe i mbron bandat dhe të “fortët” që frikësojnë qytetarët

Struga po vdes ngadalë, jo nga një armik i padukshëm, por nga duart e atyre që u betuan ta mbronin.

Qyteti i bukur buzë Drinit të Zi,buzë Liqenit frymëzues me historinë e tij të lashtë, festivalet letrare dhe bukuritë natyrore që dikur frymëzonin poetë dhe udhëtarë, sot po shndërrohet në një qytet të lënë pas dore, të zhytur në pluhur, korrupsion dhe mungesë vizioni.

E “vranë” jo me plumb, por me premtime boshe, projekte të dështuara dhe heshtjen e qëllimshme të atyre që duhet të flasin.

Fajtor janë ata që sot fshehen pas konferencave të shtypit, buzëqeshjeve nëpër fushata dhe kontratave të errëta. Skuthët fshihen nëpër zyrat e pushtetit lokal e qendror, atje ku merren vendime pa pyetur qytetarët. Janë politikanë që Strugën e shohin si trampolinë për karrierë, por kurrë si shtëpi për t’u mbrojtur. Janë investitorë pa ndërgjegje që shkatërrojnë brigjet, ndotin ujin dhe ndërtojnë pa leje, duke gëlltitur copë-copë identitetin e qytetit.

Dhe mos të harrojmë pyetjen që i djeg çdo qytetari të ndershëm: kush i mbron bandat dhe “të fortët” në Strugë? Ata nuk ekzistojnë rastësisht. Kanë mbështetje politike, mbrohen nga struktura që s’duan drejtësi, por kontroll. Janë pjesë e një sistemi që ua jep rrugët, tenderët dhe frikën qytetit, në këmbim të votave dhe heshtjes. Policia shpesh mbyll sytë, prokuroria nuk vepron, e pushteti lokal flet për rend dhe siguri vetëm në ditë feste. Të fortët janë të fortë sepse dikush më i fuqishëm se ata u jep krahë. Këtë qytetarët kanë frikë ta thonë, se jetojmë në një kohë pa kohë.

Zhvillimi urban ka dalë jashtë kontrollit. Drini i Zi, dikur krenaria e qytetit, po shndërrohet në një kanal të ndotur. Ndërkohë, vendimmarrja është kthyer në pazar interesash politike. Turizmi po zbehet, rinia po largohet, ndërsa qyteti rrëshqet në një gjendje apatie dhe harrese.

A ka ende shpresë? Patjetër që po!

Po, por jo nëse vazhdojmë të heshtim. Struga mund të rilindë vetëm kur qytetarët e saj të zgjedhin të mos jenë spektatorë, por aktorë të së ardhmes. Kur të kërkojnë llogari, të mos pranojnë justifikime dhe të ndalojnë t’i japin pushtet skuthëve që jetojnë në errësirën e mosinteresimit publik.

Struga nuk ka nevojë për shpëtimtarë, ka nevojë për ndërgjegjësim.

Sepse kush nuk reagon, është bashkëfajtor në vrasjen e saj.

Lindim Etemi (Struga Ekspres)

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments