Autor: Lindim Etemi
Ali Ahmeti, ky strateg i madh që kontrollon të gjitha partitë politike që nga krijimi i BDI-së
Ali Ahmeti nuk është thjesht një emër në skenën politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut, ai është një institucion. Që nga krijimi i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) më 2002, ai ka shfaqur aftësinë për të ndërtuar, transformuar dhe kontrolluar rrjedhën e zhvillimeve politike jo vetëm brenda partisë së tij, por edhe përreth saj.
Figura e tij e ndërtuar fillimisht mbi bazën e rolit të tij në konfliktin e vitit 2001, shumë shpejt mori një dimension më të gjerë, atë të një strategu të heshtur, por të pakompromis. Me një instinkt politik të rrallë dhe një rrjet të gjerë mbështetësish, Ahmeti arriti të konsolidojë BDI-në si forca kryesore politike shqiptare në vend, duke e bërë atë pothuajse të paprekshme nga sfidat e jashtme dhe fragmentimet e brendshme.
Por çfarë e bën Ahmetin kaq të fuqishëm?
Ai ka ndërtuar një sistem lojaliteti të dyfisht, politik dhe personal. Figura të rëndësishme të politikës shqiptare në Maqedoni ,qoftë në parti të reja apo të vjetra, rrallëherë dalin jashtë orbitës së ndikimit të tij. Shpesh, partitë që pretendojnë të jenë rivale përfundojnë duke funksionuar si satelitë të pavarur vetëm në pamje të jashtme. Disa analistë politikë thonë se “nëse nuk je me Ali Ahmetin, je ende nën hijen e tij.”
Nën drejtimin e tij, BDI ka treguar një fleksibilitet të jashtëzakonshëm për t’u përshtatur me rrethanat: nga koalicionet me partitë maqedonase në pushtet, tek manovrimet politike për të mbajtur dominimin në kampin shqiptar. Në mënyrë të heshtur, por të qartë, Ahmeti ka krijuar një fushë loje ku rregullat i vendos ai, dhe lojtarët, përfshirë kundërshtarët e tij – shpesh ndihen të detyruar t’i respektojnë ato.
Sot, pas më shumë se dy dekadash në krye, Ali Ahmeti nuk është vetëm lider i BDI-së. Ai është një pikë referimi e pashmangshme për çdo lëvizje politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Disa e quajnë “udhëheqës kombëtar”, të tjerë “manovrues i zgjuar”, por të gjithë bien dakord për një gjë: ai është mjeshtër i lojës politike.
Në një hapësirë ku partitë ngrihen e bien, Ahmeti ka qëndruar si një simbol stabiliteti dhe fuqie, një strateg i madh që jo vetëm ka ndikuar rrjedhën e historisë politike në Maqedoninë e Veriut, por ka vendosur edhe standardet e saj.
Lindim Etemi (Struga Ekspres)