Tuesday, August 26, 2025
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeOpinionLindim Etemi: A ka ndonjë politikan që nuk është hajdut dhe kriminel...

Lindim Etemi: A ka ndonjë politikan që nuk është hajdut dhe kriminel në Maqedoninë e Veriut?

Në Maqedoninë e Veriut, si në shumë pjesë të Ballkanit, kjo pyetje tingëllon më shumë si sarkazëm sesa si kërkim i sinqertë.

A ka ndonjë politikan që nuk është hajdut apo kriminel? Përgjigjja është po aq e dhimbshme sa edhe e thjeshtë.

Nëse ekziston, nuk e njeh askush, sepse sistemi nuk lejon të dallohet.

I ndershmi në politikë është ose i padukshëm, ose i shkatërruar

Në një moçal të ndotur me korrupsion, vështirë të dallohet uji i pastër. Politikanët e ndershëm, nëse vërtetë ekzistojnë, ose heshtin për të mbijetuar, ose janë shtyrë mënjanë nga kasta që e sheh ndershmërinë si rrezik për “ekuilibrin” e pushtetit. Janë si kastravecat në një kopsht me gjarpërinj, nuk kanë shumë jetëgjatësi.

Kur dikush tenton të luajë ndershëm, ai përballet me makinerinë e partive, drejtësinë e kapur dhe urinë e pashuar për përfitim. E vetmja mënyrë për të mbetur “i pastër” në politikë është të mos kesh fare pushtet real.

Emra? S’ka asnjë që s’e ka prekur balta

Thuaji emrin e cilitdo politikan, të ri apo të vjetër, të majtë apo të djathtë, shqiptar apo maqedonas, dhe e vetmja gjë që ndryshon është stili me të cilin e ka fshehur gjurmën e vjedhjes. Disa janë mjeshtër të korrupsionit institucional, disa janë artistë të nepotizmit, disa janë tregtarë të influencës. Po për ndershmëri të pastër, integritet pa kompromise? Asnjë.

Sepse në këtë sistem, të ndershmit nuk bëhen kurrë liderë ose largohen vetë, ose eliminohen me dinakëri. Në fund, mbeten në majë ata që dinë të bëjnë pazare, të manipulojnë turmat dhe të qeshin në kamera ndërsa populli varfërohet.

Politikan i ndershëm në Ballkan është si engjëll në bordello
Është një kontradiktë në vetvete. Sepse në këtë realitet politik, nuk kërkohet ndershmëri, kërkohet lojalitet ndaj klanit, heshtje ndaj krimit, dhe mjeshtëri për të folur shumë pa thënë asgjë. Kjo është valuta që vlen në skenën politike. Ndërsa ndershmëria? E shohin si naivitet. Si pengesë. Si kërcënim.

Nëse dikush kërkon emrin e një politikani të ndershëm në Maqedoninë e Veriut, përgjigjja më e ndershme është, nuk ka. Ose është zhdukur para se të dallohej. Sepse ky sistem i kalbur nuk i rrit të tillët. Nuk i toleron. Dhe mbi të gjitha, nuk i lejon të mbijetojnë.

Në këtë vend, politika nuk është rrugë drejt shërbimit, por shteg drejt pasurimit. Dhe në atë shteg, ndershmëria nuk është virtyt, është mallkim.
Lindim Etemi (Struga Ekspres)

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments