Rreth 670 të dënuar me burg deri në gjashtë muaj do të lirohen nga dënimi, ndërsa 3097 të dënuarve të tjerë do t’u ulet dënimi për rreth 30%. Propozim/ligji për amnisti, i propozuar nga Ministria e Drejtësisë, kaloi në Komisionin për Sistem Politik, në lexim të parë.
Sipas propozuesit, Ministria e Drejtësisë gjatë hartimit të këtij propozimi ka marrë parasysh kushtet në burgje, institucione që duhet të mundësojnë risocializim të popullatës së dënuar, por të cilat kanë kushte shumë të këqija, të cilësuar si johumane nga organizatat ndërkombëtare dhe veç kësaj janë të mbipopulluara.
“Me këtë ligj, të gjitha dënimet me burg deri në gjashtë muaj fshihen. Për ta vlen amnistia. Ndërsa për dënimet mbi gjashtë muaj dënim me burg zvogëlohen për 30%, përveç për disa vepra penale të përcaktuara në formë precize”,- deklaroi zëvendësministri i Drejtësisë, Oliver Ristovski.
“Ne si grup parlamentar realisht mbështesim këtë iniciativë, meqë kjo çështje zanafillën e saj e ka diku para 2-3 viteve nga mandati i kaluar dhe ishte një iniciativë qytetare, duke pasur parasysh vërejtjet që u bëhen institucioneve ndëshkuese”,- tha Rexhail Ismaili nga BDI.
“Ky ligj duhet të miratohet nëse marrim parasysh kushtet nëpër burgje. Vij nga kjo fushë dhe dua të them se gjendja në këto institucione dënimi janë të tmerrshme”,- theksoi Sasho Kostovski nga LSDM.
Propozim-ligji nuk parasheh faljen e personave të dënuar me burg të përjetshëm dhe as personat që kanë bërë vepër penale “vrasje”. Amnistia nuk përfshin as personat që kanë kryer vepra kundër zgjedhjeve, vepra penale kundër shtetit dhe as vepra penale kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare.