Një ekip i shkencëtarëve australian po pretendon se e ka gjetur shërimin nga koronavirusi dhe po shpresojnë që t’i fillojnë testimet duke nisur nga fundi i këtij muaji.
Drejtori i Qendrës për Hulumtime Klinike në Universitetin e Kuinslendit, profesori David Paterson, tha se ekipi i tij ka vërtetuar se dy ilaçe që përdoren për sëmundje të tjera e kanë shkatërruar virusin gjatë testimeve.
Ai gjithashtu tha se njëri nga ilaçet, që u është dhënë disa prej njerëzve të parë që janë infektuar me virusin e ri në Australi, tashmë ka bërë që koronavirusi të zhduket dhe pacientët të shërohen plotësisht.
“Ajo që dëshirojmë për momentin është një test i madh klinik në tërë Australinë, përfshirë 50 spitale dhe ajo që po bëjmë është krahasimi i një ilaçi me një ilaç tjetër dhe me kombinimin e dy ilaçeve”, shtoi profesori Paterson.
Ky hulumtues tha se ka besim që ky ilaç mund të fillojë të përdoret nga pacientët në mënyrë të sigurt. “Duam t’ua ofrojmë australianëve trajtimin më të mirë të mundshëm e jo thjesht hamendjet e dikujt që i ka nxjerrë nga disa persona”, tha ai për faqen “news.com.au”.
Njëri nga dy ilaçet për të cilat profesori pretendon se i shëron njerëzit nga koronavirusi është një ilaç që përdoret kundër virusit HIV, transmeton Gazeta Express.
Hulumtimi i këtij ekipi u nxit fillimisht nga pacientët kinezë, të cilët i kishin përdorur këto ilaçe kur kishin ardhur në Australi.