Kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka shprehur ngushëllime për viktimat e sulmit terrorist që ndodhi mbrëmjen e së martës në Vjenë, dhe ka shtuar që nuk do të lejojnë frikësimin nga terrorizmi.
“Aktualisht po kalojmë në kohëra të vështira në republikën tonë. Do të doja ta falënderoj gjithë shërbimin emergjent që po e rrezikon jetën për sigurinë tonë, veçanërisht sot”, ka shkruar Kurz në Twitter.
“Policia jonë do të veprojë në mënyrë vendimtare kundër kryerësve të këtij sulmi terrorist”.
Kurz ka theksuar se ata do ta luftojnë me vendosmëri terrorizmin, dhe ka njoftuar se forcat e armatosura do ta ruajnë qytetin në vend të policëve,
“Gëzohem që oficerët tanë policorë tashmë kanë mundur ta eliminojnë njërin prej agresorëve. Ne nuk do të lejojmë kurrë veten tonë që të frikësohemi nga terrorizmi dhe do t’i luftojmë me vendosmëri dhe në të gjitha mënyrat këto sulme”.
“Në mënyrë që policia të mund të fokusohet tërësisht në luftën kundër terrorizmit, qeveria federale ka vendosur që forcat e armatosura do ta marrin përsipër mbrojtjen e pronës të cilën më parë e ka pasë policia në Vjenë”.
Ai u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave, dhe ka falënderuar liderët e Bashkimit Evropian si dhe ata nga vendet tjera të botës për solidarizimin e tyre me Austrinë.
“I gjithë vendi mendon për viktimat, të lënduarit dhe familjet e tyre, të cilëve ua shpreh ngushëllimet më të thella”.
“Falënderojmë liderët e Bashkimit Evropian dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për simpatinë e tyre dhe shprehjen e solidaritetit”.