Silvana Begaj
Kjo qenie komplekse që vendos maskë edhe kur flet me veten. Për këtë duhet ti kemi zili kafshët. Të paktën ato vrasin për mbijetesë, por jo fëmijët e tyre.
O Zot! Kujt i jep mundësinë të jetë prind?
Atij që i vrau fëmijëve fëmijërinë dhe pafajsinë? Vetëm në prehrin e nënës je fëmijë pavarësisht moshës. Vetëm aty! Por prehri ku vendosnin kokën ata dy fëmijë tani është i ftohtë dhe pa forcë.
O Zot! A ke vend të vecantë për nënat që ikin nga kjo botë me kokën këtej? I kthen në ëngjëj të kujdesen për të vegjëlit e tyre?
Ajo që supozohet se na dallon ne nga qëniet e tjera është Ndërgjegja si shkalla më e lartë e subkoshiencës.
O Zot! Më trego nga ti dalloj njerëzit nga qeniet e tjera që mbajnë maskë me fytyrë njeriu!
Ai që supozohet se do ishte mbrojtja e saj, në fakt ishte xhelati frikacak që i duheshin të fuste shpirtra të tjerë në gjynah për të marr jetën e një njeriu që ndante jetën. A e dinin prindërit e saj? Po motrat, vëllezërit? Dinin gjë ata? Ishte ajo e lumtur apo i kishte vdekur shpirti me kohë nga bashkëjetesa me një mostër dhe në fund i fali dhe trupin?
O Zot! Si e lejove?
Do guxim dashuria! Këtë e dija mirë! Por mendoja se të dashurosh do guxim se ekziston rreziku se të vriten ndjenjat, por jo se të merr jetën.
O Zot! Në këtë ferr supozohet se dashuria na sjell parajsën.
Mendoni se Liridonën e vrau fakti se ishte seksi i dobët? Oh, gabim! Atë e vrau bota e gënjeshtërt, pavërtetësia me të cilën bashkëjetojmë, e vrau pabesia dhe tradhëtia. Liridonën nuk e vranë ato plumba që dolën nga tyta e asaj arme, Jo. E vrau besimi dhe durimi! E ndoshta e vrau dashuria.
Duke qënë vetëm në emigrim shpesh herë I përsëris veten shprehjen: Don´t worry mother! Your daughter is a soldier. (Mos u shqetëso nënë! Vajza jote është një ushtar.), por e paskam pasur gabim. Ushtar je kur e di kë ke armik. Sot, dhe unë ndjej frikë.
Se gratë kjo shoqëri i vret cdo ditë pa mëshirë! Dhe më e dhimbshmja është se shpesh gratë vriten edhe nga gratë! Është më e lehtë të vrasësh një grua të bukur. Nuk jam e sigurt se ose bukuria vret ose ne e vrasim bukurinë. E vrasim me paragjykime, me thashetheme, me mentalitete dhe në fund e qajmë.
E sot po reagojnë të gjithë sikur e bukura Liridon është e vetmja që iku nga kjo jetë nga dora e ligësisë. Do reagojnë dhe pak dhe bota do vazhdojë njësoj. Historia do përsëritet dhe shumë jetë do ndërprihen pabesisht.
Kjo është shoqëria jonë që kamuflohet nën petkun e të qënit njeri.