Kandidati i Partisë Republikane Popullore të Turqisë (CHP), Ekrem İmamoğlu, fitoi zgjedhjet për kryebashkiakun e Stambollit, treguan rezultatet jozyrtare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Me gjithsej 99,37 për qind të votave të numëruara, İmamoğlu fitoi 54,03 për qind të votave, ndërsa Binali Yıldırım i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) mori 45,09 për qind.
İmamoğlu mori 777.581 vota më shumë se rivali i tij, gjegjësisht ai fitoi gati 4,7 milionë vota, kurse Yıldırım rreth katër milionë.
“Rivali im Ekrem İmamoğlu po udhëheq aktualisht. E përgëzoj dhe i uroj suksese”, tha Yıldırım pas shpalljes së rezultateve të para jozyrtare.
“Ne do të përpiqemi ta mbështesim atë në çdo punë që do të bëjë në emër të qytetarëve të Stambollit”, shtoi ai.
“Zgjedhje do të thotë demokraci. Këto zgjedhje treguan edhe një herë se demokracia në Turqi funksionon në mënyrën më të mirë”, deklaroi Yıldırım.
Kandidati për kryebashkiak i partisë opozitare përshëndeti rezultatin e votimit të përsëritur në Stamboll dhe tha ai kontribuon në “procesin demokratik të Turqisë”.
“Pjesa më e rëndësishme e zgjedhjeve të sotme në Stamboll është kontributi që do të kenë në demokracinë e Turqisë. Uroj që rezultati të jetë në dobi për shtetin tonë dhe Stambollin”, tha İmamoğlu duke folur për mediat në Stamboll.
Duke iu drejtuar qytetarëve të Stambollit, İmamoğlu tha se “Ju keni mbrojtur traditën tonë demokratike më shumë se njëshekullore. Falënderimi u qoftë bashkëqytetarëve të Stambollit”.
İmamoğlu tha se rezultati i zgjedhjeve nuk është një fitore, por “një fillim i ri për qytetin”.
Ndërkohë, Sadi Güven, kryetari i Këshillit të Lartë Zgjedhor (YSK), paralajmëroi se rezultatet zyrtare do të shpallen së shpejti.
Duke folur para përfaqësuesve të mediave në Ankara, ai tha se deri më tani zyrtarisht janë procesuar 65 për qind apo 19.910 kuti të votimit.
“10.560.963 votues votuan në 31.342 kuti të votimit, duke përfshirë ato në burgje dhe kutitë mobile”, tha ai.
Güven shtoi se pas mbarimit të procesit të ankesave, certifikata e mandatit do t’i dorëzohet fituesit.
İmamoğlu dhe Yıldırım, në mesin e kandidatëve të tjerë, garuan në zgjedhjet lokale të përsëritura për të drejtuar Stambollin, pasi votimi i mëparshëm i 31 marsit u anulua në këtë qytet nga YSK muajin e kaluar.