Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka thënë se kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari nuk mund të qëndrojë në “dy karrike” t’i mbajë ministrat në Qeveri e në të njëjtën kohë t’i bashkohet opozitës.
Xhaferi në “Debat Plus”, tha se kjo nuk mund të ndodhë në asnjë shtet.
“Nuk mundeni në dy karrike me ndejt, edhe me qenë pjesë e Qeveerisë edhe të shkoni në opozitë. Si mund të ndodhë kjo… Duke qenë pjesë e Qeverisë si kryetar partie ka thënë unë shkoj me opozitën. Si shkoj me opozitën por ministrat i mbaj në Qeveri. Në cilin shtet e keni parë këtë”, tha ai.
Qeveria teknike e Maqedonisë së Veriut të premten pritet të pësojë ndryshime dhjetë ditë pas votimit të saj në Kuvend, më 28 janar.
Kryeministri teknik, Talat Xhaferi, ia ka dorëzuar Kuvendit kërkesën për shkarkimin e ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, dhe të ministrit të Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Azir Aliu.
Në vend të tyre ka propozuar Ilir Demirin për ministër të Shëndetësisë dhe Naim Bajramin për ministër të Administratës dhe Shoqërisë Informatike.
Seanca e Kuvendit për shkarkimin e ministrave të vjetër dhe emërimin e atyre të rinj është caktuar për të premten nga kryetari i Kuvendit, Jovan Mitrevski.
Vendimi i kryeministrit Talat Xhaferi pason një kërkesë të një komisioni partiak të Aleancës për Shqiptarët(ASH) që është pjesë e Qeverisë teknike, i cili propozoi shkarkimin e dy ministrave të saj.
Vendimi është marrë për shkak të, siç thuhet, “veprimeve që bien ndesh me Kodin Etik, përfshirë shantazhet dhe presionet ndaj anëtarëve të ASH-së, si dhe takimeve me VMRO DPMNE-në”.