Reagimi i plotë i Kovaçevskit:
“Sot fillon java e dytë në të cilën fëmijët nuk do të jenë në shkollë. Me refuzimin e ofertës për rritjen e pagave për 10%, SASHK vendosi të vazhdojë me shantazhet që janë vetëm në dëm të shkollimit të nxënësve dhe komplikojnë jetën e përditshme të prindërve.
Qeveria po bën përpjekje serioze për të përballuar krizën, për të amortizuar rritjet e çmimeve dhe për të siguruar një jetë dinjitoze për qytetarët tanë, veçanërisht për shtresat më të cenueshme. Edhe në kushte kaq të vështira të krizës globale, ne jemi ndoshta e vetmja Qeveri që kemi mundësuar rritje historike të pagave dhe pensioneve dhe kemi mbështetur fuqishëm qytetarët financiarisht.
Përkundër gjithçkaje, SASHK konsideron se rritja e pagave prej 2500 denarë është e vogël. Në kushtet kur me masat kundër krizës të miratuara nga qeveria, faturat e qytetarëve janë më të ulëta për 4.000 denarë në muaj. Ky thjesht nuk mund të konsiderohet qëndrim i arsyeshëm, por presion i dukshëm me të cilin shihet qartë se SASHK-u i vë interesat personale para atyre të fëmijëve.
Nga viti 2017 e deri më sot kemi rritur pagat në arsim me 21%. Me këto 10% shtesë do të ishte një rritje prej 31% që për SASHK-un në kushtet e krizës ekonomike globale nuk është e mjaftueshme. Për krahasim, në pesë vite, nga viti 2011 deri në vitin 2016, pagat në arsim janë rritur vetëm me 4%.
Qeveria po bën gjithçka që është e mundur për të mbajtur dialogun dhe për të gjetur gjuhën e përbashkët, por kërkesat dhe qëndrimi i SASHK-ut janë krejtësisht të papranueshme. Vendi i fëmijëve është në shkolla dhe në këtë situatë vetëm SASHK-u dhe menaxhmenti janë përgjegjës që nuk e ushtrojnë të drejtën në arsim”, ka shkruar kryeministri.