Edhe pas thuajse dy muajsh nga paraqitja e virusit vdekjeprurës korona, në aeroportin e Ohrit ku vijnë turistë të huaj ende nuk është vendosur kamerë termale për kontrollimin e temperaturës së udhëtarëve. Edhe pse numri i fluturimeve dhe pasagjerëve është në rritje të vazhdueshme, ndërsa me afrimin e sezonit turistik ai numër do të rritet në mënyrë drastike, ende nuk ka masa parandaluese në godinën e terminalit. Do të presin që rastet e dyshimta t’i paraqesin kompanitë e huaja ajrore.
Ne kemi marrëveshje me të gjitha linjat ajrore për të na njoftuar paraprakisht nëse ka udhëtarë që mund të jenë në rrezik, në kuptimin të asaj nëse kanë udhëtuar ose kanë qenë në afërsi të qytetit Vuhan në Kinë, të na njoftojnë para mbërritjes – tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Për rastet e dyshimta, mjekët do të duhet të përdorin termometër të zakonshëm.
Presin që kamera termale të arrijë dhe të dorëzohet në Aeroportin e Ohrit për një afat sa më të shkurtër. Aktualisht po matet me termometër – u shpreh Jovanka Koroveshoska, Epidemiologe – Qendra e Shëndetit Publik Ohër.
Si masë parandaluese që shteti zbaton në aeroport është edhe shpërndarja e fletushkave për koronavirusin ku ka numra të telefonit që pasagjerët të mund të kërkojnë ndihmë dhe informacione. Nga Shoqata Hotelierike e Maqedonisë kërkojnë që masat që zbatohen në aeroportin e Shkupit të zbatohen edhe në aeroportin e Ohrit.