Konflikti mes Selës dhe Zaevit rreth Ministrisë së Shëndetësisë dhe në përgjithësi pjesëmarrja e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, e komplikon përbërjen e Qeverisë së re.
Kështu vlerëson analisti politik Petar Arsovski, i cili thotë se megjithatë gjasat që Aleanca të braktisë koalicionin janë shumë të vogla, pasi sipas tij, në këtë moment ndikon presioni i bashkësisë ndërkombëtare. Arsovski thotë se ky koalicion do të zgjasë të paktën gjysmën e parë të vitit 2018.
“Gjithsesi do të komplikohet përbërja e Qeverisë së re, duke pasur parasysh se Sela dhe Zaevi janë tashmë në një lloj konflikti rreth Ministrisë së Shëndetësisë dhe në përgjithësi pjesëmarrja e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri. Unë mendoj se gjasat janë të vogla Sela ta braktisë koalicionin. Mendoj se megjithatë në këtë moment ndikon presioni i bashkësisë ndërkombëtare si dhe siguria se Zaev, gjithsesi do të ketë shumicë në Kuvend. Kjo do të bëjë që të jetë e vështirë që të prishet ai koalicion. Mendoj se ajo do të qëndrojë të paktën në gjysmën e parë të 2018-tës”, thotë Petar Arsovski, analist politik.
Ndërkaq, gazetari Isen Saliu, vlerëson se vazhdimin e koalicionit nuk e dëshirojnë as Aleanca për Shqiptarët, as LSDM e as BDI, por se vazhdimi i koalicionit vjen për shkak të brengosjes ndërkombëtare.
“Para dy-tre ditëve dalja e Aleancës nga Qeveria ishte punë e kryer. Situata dje dhe sot ka ndryshuar, mendoj se ky ndryshim më shumë vjen për shkak të brengosjes së ndërkombëtarëve në Maqedoni, të diplomatëve perëndimor dhe dyshimeve të tyre, se sa do të kishte kapacitet pjesa shqiptare e Qeverisë që të zbatojë reformat që i kërkon Brukseli, për shkak të stazhit të gjatë që ka pjesa shqiptare e Qeverisë në Qeveri antireformatore dhe mund të them antiperëndimore që udhëhiqeshin nga VMRO-DPMNE-ja dhe Nikolla Gruevski”, thotë Isen Saliu, gazetar
Sa u takon ndryshimeve në VMRO-DPMNE, analistët vlerësojnë se është akoma herët qe të bëhen vlerësime nëse bëhet fjalë për ndryshim të sinqertë të konceptit të kësaj partie. Sipas Arsovskit, në gjysmën e parë të 2018-tës do të kuptohet se cilën rrugë ka vendosur të marrë VMRO-DPMNE-ja.
“Sa u takon ndryshimeve në VMRO-DPMNE. Dolën me vetëm një kandidat, pa ndryshime thelbësore demokratike, pa proces konkurrues. Dhe tash udhëheqësia e re, ka dy detyra. Edhe ta përmirësojë partinë edhe ta vërtetojë legjitimitetin e vet brenda, dhe të tregojë se nuk është dorë e zgjatur e Gruevskit. Nëse do të ketë sukses ose jo, duhet ta shohim prej në fillim narrativin politik të Hristijan Mickovskit, mendoj se është herët të vlerësohet. Por, në gjysmën e parë të 2018-tës, do të shohim se cilën rrugë ka vendosur VMRO-DPMNE-ja ta marrë”, thotë Petar Arsovski, analist politik.
Ndërkaq, për Saliun këto reforma janë të mirëseardhura dhe nëse bëhet fjalë për reforma të njëmendshme, do të krijohen kushte që pjesa e shëndoshë e skenës politike shqiptare të mund të bashkëpunojnë me një VMRO të reformuar.
Isen Saliu, gazetar
“Reformat në VMRO-DPMNE, mendoj se janë të mirëseardhura, të shumëpritura. Nëse bëhet fjalë për reforma të njemendshme dhe reforma esenciale, mendoj se ato e relaksojnë skenën politike në Maqedoni. Krijojnë kushte që pas një kohe të gjatë, pjesa e shëndoshë e skenës politike shqiptare të mund të bashkëpunojë pse jo, edhe me një VMRO-DPMNE të reformuar”
Kohëve të fundit pjesëmarrja e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri është vënë në pikëpyetje, pas betejës së LSDM-së dhe Aleancës për shqiptarët se kuadër i cilit prej tyre do të udhëheq me Ministrinë e Shëndetërsisë. Ndërkaq, nga ana tjetër VMRO-DPMNE-ja opozitare, ka mbajtur kongresin e saj në të cilin është vendosur që lider i kësaj partie, në vend të Nikolla Gruevskit, të jetë Hristijan Mickovski.